Që nga paraqitja e rastit të parë pozitiv me virusin COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, mjeku infektolog Fadil Cana ka qenë i angazhuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Ai ka trajtuar gati të gjitha 1642 raste, prej të cilave 1136 janë shëruar, 415 janë ende shërim kurse 91 kanë ndërruar jetë.
Cana thotë se lakorja ka një tendencë të rënies, por ende nuk është fituar lufta me virusin. Përmend rastin e Singaporit, ku pas rënies së numrit të të infektuarve kishte një lëshim të masave, duke e nënvlerësuar rrezikun, gjë që solli në rikthimin e fuqishëm të tij.
KDP: Sa ka gjasa të ketë valë të dytë dhe çfarë fuqie mund të ketë virusi?
Fadil Cana: Gjasat të ketë një valë të dytë janë reale dhe kjo është objekt studimi i cili kërkon një vëmendje të veçantë nga autoritetet shëndetësore. Ajo që është e njohur deri tani nga të gjithë të panjohurat që ka ky virus është fakti se pa një vaksinë dhe pa imunitet të përhapur ndaj sëmundjes së re, rikthimi është i pashmangshëm. Shembull alarmi për këtë kemi përvojën e Singaporit, vendit që pati një “ringjallje” të papritur të infeksioneve, pavarësisht se u lavdërua për trajtimin e hershëm të shpërthimit. Kjo përvojë edhe pse shumë specifike, ka demonstruar aftësinë e sëmundjes të kthehet fuqishëm në vendet ku njerëzit janë në afërsi dhe aftësinë e virusit për të shfrytëzuar çdo dobësi në regjimet e shëndetit publik të krijuara për ta luftuar atë. Ndaj opinionin se kjo valë e rikthimit, po qe se ndodh, do jetë më e butë sepse një pjesë e popullatës veç më bie në kontakt me virusin dhe fiton imunitet, gjithashtu virusi duke kaluar nga një njeri në tjetrin e humb virulencën dhe agresivitetin, dhe njerëzit më e kanë të njohur sëmundjen me çka besoj se sjellja e tyre nuk do ta “irriton” virusin.
KDP: Sa ka kapacitet Maqedonia e Veriut të ballafaqohet me një shpërthim më serioz të krizës në vjeshtë?
Fadil Cana: Besoj se ka kapacitet të ballafaqohet me një shpërthim hipotetikisht më serioz të krizës në vjeshtë nëse autoritetet shëndetësore i mirëmenaxhojnë resurset dhe këtë periudhë të qetësimit të situatës e shfrytëzojnë për parapërgatitje të duhur të kapaciteteve dhe trajnimit adekuat të stafit mjekësor.KDP: Çfarë duhet ndërmarrë që sistemi shëndetësor të jetë i aftë të ballafaqohet me një valë të dytë më të fuqishme?
Fadil Cana: Së pari duhet të riorganizohen dhe ndryshohen menjëherë stafet drejtuese posaçërisht të spitaleve klinike – Tetovë, Shtip, Manastir, – e pse jo edhe disa spitaleve të përgjithshme të qyteteve tjera, të cilat gjatë valës së parë u treguan se aspak nuk e meritojnë statusin e spitaleve klinike dhe të përgjithshme si për nga organizimi ashtu edhe për nga përgatitja për tu ballafaquar me këtë situatë dhe marr guximin lirisht të them se më shumë u ngjasonin ordinancave të fshatit, sesa institucioneve të kujdesit sekondar shëndetësor.
Segment i dytë i rëndësishëm i organizimit është të vazhdohet me rritjen e kapaciteteve furnizuese të pajisjeve personale mbrojtëse dhe pajisjeve tjera shëndetësore ( numër i mjaftueshëm i shtretërve spitalorë përfshirë ato të kujdesit intensiv, sigurimi i barnave dhe produkteve të nevojshme farmaceutike në njësitë e kujdesit intensiv dhe rikonstruimi i depove të pajisjeve).
Dhe së treti, mendoj se duhet të fuqizohet kapaciteti i duhur për monitorim, me të cilën nënkuptoj kapacitetin e testimit në shkallë të gjerë për të zbuluar dhe monitoruar përhapjen e virusit, gjurmimin e kontaktit dhe mundësitë për të izoluar personat pozitiv me COVID-19. Po ashtu duhet të ketë kapacitete edhe për testime serologjike.