India me 10 milionë të infektuar, por miliona besimtarë lahen së bashku në lumin e “shenjtë”

India është vendi i dytë në botë për sa i përket bilancit të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Shifrat flasin për më shumë se 10 milionë persona të infektuar, dhe rreth 150 mijë viktima. Por shifrat e frikshme nuk po pengojnë induistët të marrin pjesë në masë në një nga festat e tyre më të shenjta.

Bëhet fjalë për Makar Sankratin, fillimin e festimeve që do të kulmojnë në shkurt me Kumbh Mela, festën kryesore hinduiste, ku dhjetëra milionë indianë mblidhen aty ku bashkohen ujërat e lumenjve Ganxhe, Yamuna dhe Sarasuati, një zonë e quajtur “sangram” nga besimtarët, aty ku zhyten me objektivin për të balancuar ciklin e tyre të jetës dhe vdekjes.

Një ceremoni që ndodh prej shekujsh, dhe që nuk mund të bllokohet as në kohë pandemie. Vjet kjo ceremoni mblodhi 55 milionë persona, në një dinamikë ku distancimi social nuk është i parashikuar.
Rreth 700 mijë besimtarë kanë filluar të mblidhen që tani, në qytetin e Haridwar, dhe kjo shqetëson shumë autoritetet shëndetësore. “Kumbh Mela e vitit 2021 mund të kujtohet si burimi i një tjetër përhapjeje të koronavirusit”, deklaruan ato.

Një gjykatë indiane ka marrë vendim kundër situatës, duke urdhëruar organizatorët dhe autoritet lokale të marrin masa të rrepta, por nuk duket se do të ketë një efekt, nga momenti që vetë qeveria nacionaliste indiane e cilëson atë si një promovim të politikave të saj. Përgjigja e organizatorëve, është një sinjal i kësaj qasje, “kemi besim se nëna Ganxhe do të na mbrojë të gjithë”.