Indi, nxënëset muslimane me shami nuk lejohen prej disa javësh në mësim

Një grup nxënësesh muslimane prej javësh nuk lejohen të marrin pjesë me mbulesën e shamisë në mësim në një shkollë shtetërore në rajonin Karnataka në jug të Indisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “Independent”, 4 nxënëse në një shkollë për femra në Udupi që nga fillimi i muajit kanë ngritur një kamp jashtë klasave me arsyen se nuk lejohen të mbajnë shaminë në klasë.

Rudra Gowda, drejtori i shkollës i cili ka folur për “Press Trust” agjencinë e lajmeve të Indisë, duke iu referuar rregullave të shkollës tha se nxënëset lejohen të vendosin mbulesën e shamisë në shkollë por që është e ndaluar të vendoset brenda klasave.

Sipas informimit të bërë nga kanali televiziv, “Times Now”, prindërit e 4 nxënësve u takuan me zyrtarët e shkollës por që prej më shumë se dy javësh nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje ndaj problemit.

Yashpal Suvarna, një nga zyrtarët e shkollës tha se nxënësit mund të marrin pjesë në mësime nëse dëshirojnë të zbatojnë rregullat e shkollës. “Nëse nuk duan të zbatojnë rregullat mund të gjejnë një shkollë tjetër për t’u arsimuar”, tha zyrtari Suvarna.

Një ngjarje e ngjashme ndodhi në fillim të këtij muaji në një shkollë tjetër në rajon. Nxënësit hindu në një shkollë shtetërore në Koppa për të protestuar kundër muslimanëve që hyjnë në mësim me mbulesën e shamisë vendosën shallin me ngjyrë shafrani që përfaqëson hinduizmin.

Muslimanët përbëjnë rreth 14 për qind të popullsisë 1.3 miliardëshe të Indisë.