Inaugurohet sistemi VAR, Ademi: Ky është projekti më i madh i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë një tjetër hap të madh përpara, pasi sonte e ka bërë inaugurimin e sistemit të avancuar teknologjik VAR në futbollin e Kosovës.
Ceremonia e inaugurimit të këtij sistemi është bërë në prag të ndeshjes së Superkupës ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Presidenti Agim Ademi e ka vlerësuar këtë ditë si tejet të rëndësishme për futbollin tonë dhe finalizimin e projektit VAR si një të arritur të madhe të FFK-së.
Ai ka thënë se implementimi i këtij projekti është bërë në kohë rekorde, për çka i ka falënderuar të gjithë të përfshirët në këtë projekt gjigant.

“Sot e kemi marrë licencën nga FIFA për përdorimin e VAR-it. Nëntë operatorë dhe 53 gjyqtarë janë licencuar. Deri më tani janë organizuar 53 ndeshje ku është testuar ky sistem. Jemi Federata që e kemi marrë licencën e VAR-it në afatin më të shkurtër. Janë gjashtë muaj që kemi punuar intensivisht në këtë projekt, që është më i madhi ndonjëherë nga FFK”.

“E kemi fituar një ekip profesional që do të jenë edhe në ndeshjet ndërkombëtare. VAR-i starton që nga ndeshja e sotme e Superkupës dhe do të jetë në ndeshjet e Superligës”.
“Në 8 stadiume është intervenuar, në mënyrë që VAR-i të jetë i zbatueshëm. Ky projekt ka qenë ide e imja dhe jam i lumtur që tani po finalizohet”, ka thënë presidenti Ademi.
Para mediave është bërë edhe prezantimi i shkurtër i funksionimit të VAR-it.