Lindur më 1974 nga babai mysliman sirian dhe nëna e krishterë finlandeze, Sherin Khankan, gruaja e parë imame e Danimarkës erdhi në këtë botë në një vend ku u takuan kulturat e ndryshme.
Më 2016, bashkë me një grup akademikësh myslimanë, ajo themeloi Xhaminë Mariam në Kopenhagë, kryeqytet i Danimarkës. Dhe kjo do të bëhej xhamia e parë që do të udhëhiqej prej grave në Evropë.
“Gjithçka nisi me një zë njerëzor”, ka deklaruar ajo në një rrëfim për televizionin Al-Jazeera. “Në fakt ishte një skllav i zi ai që kishte thirrur ezanin e parë që myslimanët të lidheshin në namaz, dhe kjo ishte një mrekulli duke pasur parasysh trajtimin e njerëzve të zinj atëherë – dhe tani”.
Ajo ngulmon se reforma nuk është diçka e re në islam. Madje këmbëngul se reforma gjithnjë ka qenë pjesë integrale e fesë islame. “Ne e rilexojmë Kuranin me fokus në barazinë gjinore. Institucionet fetare janë patriarkale, kështu që ne mundohemi dhe sfidojmë strukturën përbrenda”.
Xhamia e drejtuar prej saj ka tri misione qendrore: Avokimin për të drejtën e gruas për të qenë imame; promovimin e së drejtës së martesës ndërfetare dhe mbështetjen e së drejtës së shkurorëzimit. Prej hapjes, pesëdhjetë martesa janë celebruar në xhaminë e imames. Dhe më shumë se gjysma prej tyre kanë qenë martesa të çifteve të feve të ndryshme, tregon ajo, shkruan koha.
“Ne e kuptuam shumë shpejt se një prej dilemave më të mëdha akute të kohës sonë në mesin e rinisë myslimane është çështja që lidhet me martesat e çifteve me fe të ndryshme”, ka thënë Khankan.