Ilir Meta uron 28 Nëntorin me një fotografi bashkë me nipin e presidentit Ibrahim Rugova


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas ceremonisë së ngritjes së flamurit dhe vendosjes së kurorave me lule në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, deklaroi se duhet lartësuar simbolet kombëtare dhe të mos humbasin më kohë për përmbushjen e ëndrrës për një Shqipëri plotësisht europiane.

“Në Vlorën e lavdishme të Pavarësisë u përula sot me nderimin dhe respektin më të thellë para themeluesit të shtetit tonë modern dhe Atit të Shqipërisë, Ismail Qemalit, kujtimit dhe veprës së ndritur të Tij dhe të shumë patriotëve të tjerë, që realizuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Të mbrojmë dhe të lartësojmë simbolet tona kombëtare dhe të mos humbasim më kohë për përmbushjen e ëndrrës për një Shqipëri plotësisht europiane sepse 109 vite janë mëse të mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern.

Urime 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, ka shkruar presidenti shqiptar në rrjetin social “Facebook”. Në një postim tjetër, presidenti Ilir Meta ka uruar 28 Nëntorin, përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me një foto me nipin e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, teksa të dy bëjnë me duar simbolin e shqiponjës. “Të dashur miq, Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar!”, ka shkruar Meta.