Ilir Meta konfirmohet si ‘zyrtari i Sigurimit të Shtetit’, zbardhet dosja e Autoritetit për Informimin

Të mërkurën e 27 korrikut, është zbardhur letra e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit, drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

Në dokument, emri i politikanit të lartë të shtetit rezulton të jetë i ish-presidentit Ilir Meta.

“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërsisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konformuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit”.

Sipas “dokumentit”, disa figura të rëndësishme, “si A.D, Th.S, S.H, Xh.Sh, D.Ç dhe I.M, të cilat kanë pasur certifikatë të pastërtisë së figurës, figurojnë në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi i shtetit, raste të cilat duhet të mbahen parasysh në vlerësimin tuaj në lidhje me miratimin nga ana e Kuvendit të propozimeve për ndryshime ligjore”.

Gjithashtu Autoriteti shkruan se, “me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më dhe në përndjekje të qëllimit për të mundësuar që personat që ushtrojnë detyra shtetërore aq më shumë ato subjekte që ushtrojnë detyra të larta, duhen bërë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor”.