Ilir Hasani: “Sfidat më bëjnë të fortë, përgjegjësia më jep guxim”


“Sfidat më bëjnë të fortë, përgjegjësia më jep guxim, ndërsa besimi juaj më bën të sigurt se realizimi i qëllimit nuk mund të vihet në dyshim!”. Kjo është porosia e mjekut të njohur Ilir Hasani, menjëherë pasi u votua në Kuvend si zëvendës ministër i shëndetësisë, post i radhës i rëndësishëm në karrierën e tij.

Ilir Hasani është doktori i parë shqiptar i shkencave të traumatologjisë në Maqedoni. Edhe pse në moshë të re, është kuadër me karierë të pasur profesionale dhe intelektuale, gjë që e ka bërë të jetë ndër kuadrot më kë kërkuar në Maqedoni, por edhe në rajon.

Ai lindi në Kumanovë në vitin 1977, në një familje mjekësh dhe me traditë intelektuale . Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e kreu ne Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku diplomoi në vitin 2001. Dy vitet e nevojshme për përvojën mjekësore ai qe i punësuar si Mjek i Përgjithshëm në spitalin privat “Zana” dhe në vitin 2003 punoi si vullnetar në repartin e Traumatologjisë pranë Qendrës Klinike në Shkup, në të cilën u punësua ne vitin 2006 dhe mori titullin Asistent i ri. Në vitin 2008 z. Hasani mori titullin Specialist i Kirurgjisë së Përgjithëshme, ndërsa në vitin 2015 zgjidhet si asistent në lëndën e Kirurgjisë, për të vazhduar pastaj në vitin 2016 subspecializimin në Traumatologji.

Dr.Ilir Hasani gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione udhëheqëse në institucione shëndetësore, dhe ate UD Drejtor të Klinikës për Dhimbje Ortopedike pranë Qendrës Klinike në Shkup, udhëheqës i Qendrës për Urgjencë dhe atë të funsit, që akoma është duke e ushtruar nga muaji gusht i vitit të kaluar, drejtor i Klinikën Universitare për Traumatologji, ortopedi, anestezi, reanimim, trajtim intensiv dhe qendra urgjente.

Përkrah angazhimeve profesionale, dr.Ilir Hasani ka qenë i angazhuar edhe politikisht. Ai është anëtar i kryesisë se Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në kuadër të komisioneve partiake, ai mban funksionin e kryetarit të Komisionit për Shëndetësi.