Ikën të rinjtë, dibranët e moshuar në pritje të azilit

Migrimi masiv i të rinjve në Komunën e Dibrës shumë të moshuar i ka detyruar të jetojnë të vetëm. Si në qytet, ashtu edhe në fshatra – nga viti në vit po rritet numri i të moshuarve të cilët pleqërinë po e jetojnë të vetmuar. Pikërisht si pasojë e kësaj institucionet lokale janë detyruar të kërkojnë ndërtimin e një azili për pleq. Pushteti vendor nëpërmjet Këshillit të Komunës kohë më parë i ka dhënë dritë jeshile ndërtimit të një azili, por deri tani – në këtë drejtim nuk ka ndonjë aktivitet konkret.

Shoqatat e pensionistëve në Dibër dhe Qendër Zhupë ka kryesuar në kërkesat për ndërtimin e një azili. Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Imami, thotë se Dibra si komunë tanimë ka nevojë të ketë edhe një azil pleqsh. Sipas tij, migrimi i të rinjve është shkaku kryesor që sot shumë dibranë të moshës së tretë jetojnë të vetmuar edhe atë në të dy komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. “Si shoqatë e pensionistëve që veprojmë në të dy komunat, kemi informata se banorë të moshës së tretë jetojnë të vetëm, qofshin në qytet ashtu edhe në fshatra.

Prandaj edhe ndërtimi i një azili për pleq është nevojë e kohës”, thotë kryetari Petrit Imami. Ai po ashtu sqaron se problemi i pleqve të vetmuar është diskutuar në shumë mbledhje të udhëheqësisë së shoqatës të pensionistëve. Prandaj, thotë ai, nevojitet menjëherë të niset me aktivitetet konkrete për ndërtimin e një azili.
Në janar të vitit të kaluar, Këshilli i Komunës Dibër i dha dritë jeshile kërkesës të një shtetase të Maqedonisë që të ndërtojë azil pleqsh në fshatin Ame, fshat ky që gjendet në afërsi të lokacionit banjar – Banjat e Dibrës në Banjisht.

Kërkesa u pranua nga të gjithë këshilltarët, por deri më sot nuk janë regjistruar aktivitete për ndërtimin e një institucioni të këtillë. Kryetari i Këshillit, Bashkim Mashkulli, në lidhje me këtë çështje na deklaroi se pushteti vendor me interes të veçantë e pranoi këtë kërkesë për ndërtimin e azilit. Në debatin rreth kësaj çështje, këshilltarët ishin korrekt dhe dhanë sqarime në lidhje me nevojën për ndërtimin e një azili, thotë për KOHA, Mashkulli.

“Fshati Ame ka një pozitë shumë të mirë meqë në afërsi janë edhe banjat. Ne i dhamë dritë jeshile kërkesës për ndërtim të azilit i cili duhej të ndërtohej në një lokacion ku është shkolla e rrënuar e fshatit. Është ky lokacion në pronësi të shtetit. Ndërtimi i azilit do të ishte një akt pozitiv për moshën e tretë që jetojnë të vetmuar, por edhe për punësimin e një numri të theksuar të kuadrove që duhet të angazhohen në këtë azil”, deklaron Mashkulli, ndërsa shton se në kërkesën për ndërtimin e azilit janë edhe të dhënat konkrete për investimin dhe numrin e të punësuarve.

Por, çudit fakti se deri në këtë moment, edhe pse kanë kaluar më shumë se 15 muaj, nuk ka aktivitete për ndërtimin e azilit në fshatin Ame, fshat i cili është boshatisur nga banorët lokal të cilët sot jetojnë në Dibër, por edhe kanë migruar jashtë vendit.
Edhe pse për Dibrën dhe dibranët, për shkak të traditave të fuqishme familjare, deri para dy dekade të “braktisësh” prindërit që moshën e tretë ta jetojnë në azil ishte tabu temë, sot është nevojë e kohës. Të rralla janë familjet dibrane që nuk kanë anëtarë të tyre jashtë vendit, sidomos në SHBA dhe në disa shtete të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se pleqtë duan apo s’duan – jetojnë të vetëm.

Problemi në fjalë shqetëson fëmijët e pleqve, por edhe vet shoqërinë në tërësi. Prandaj edhe ndërtimi i një azili është rrugëdalje nga problemi aktual. Në mungesë të një azili, në Dibër ka raste kur pleq dibran janë vendosur në shtëpitë e azilit në Shkup, ndërsa një pjesë është detyruar të jetojnë në bashkësi. Kështu është rasti i pleqve në fshatrat Papranik të Madh dhe Papranik të Vogël.