Përkrahësja e islamit shiit që kryesisht ka shtrirje në Iran e Irak, Ikballe Berisha Huduti, mbrëmë ka kritikuar Halil Kastratin dhe hoxhën Elvis Naçi për mënyrën sesi bëjnë bamirësi.
Berisha Huduti vlerëson se është e turpshme ekspozimi i fëmijëve dhe sipas saj teologët e kanë vendin në xhami dhe jo në fondacione.
Pas deklaratave të saj, është zhvilluar një bisedë me Halil Kastratin, i cili tregon se paraprakisht merr lejen e kujdestarit ose familjes për ekpozimin e fëmijëve, ndërsa për Ikballe Hudutin thotë se “është mendimi i saj”.
“Nuk i kam pa deklaratat e saj, mi kanë dërgu disa shokë, por nuk i kam pa edhe me i pa nuk kam kohë të merrem me atë”, tha Kastrati të dielen.
Tutje ai thotë se nëse Ikballe Huduti ka ndonjë mënyrë apo formë tjetër të bamirësisë le të vazhdojë.
“Nëse ka ajo ndonjë mënyrë tjetër të bamirësisë le të vazhdon, për neve publikimi i fytyrave të fëmijëve bëhet në pajtim me kujdestarin dhe familjen. Pra secilën familje që ne e vizitojmë, kujdestari firmos një letër që me dakordimin e tij lejohet publikimi i fotografive edhe si Halil mendoj që është shumë më e rëndë ekspozimi i atij fëmijës çdo ditë në shkollë dhe rrethit ku jeton me gjendje të rëndë sesa një minutazhë e shkurtër dhe i ndryshon jetën. Megjithatë është mendimi i saj, nëse ka ndonjë metodë tjetër apo formë tjetër ajo, kjo është metoda e punës tonë”, u shpreh më tej Kastrati.
Ai tha se është parim i tij të mos merren me deklarata të askujt, por çdo kritikë mundohet ta marrë si këshillë dhe e sheh nëse ka vend për përmirësime.
“Është mendimi i saj dhe është parimi ynë që nuk merremi, çdo llojë kritike që vjen qoftë nga zonja që e përmende apo nga dikush tjetër, mundohemi me marrë si këshillë dhe e shohim se a ka vend për përmirësime. Përndryshe nuk kemi kohë me u marrë me të, aktiviteti ynë vazhdon dhe qëllimi ynë është që mundohëmi që lotin e hidhërimit ta kthejmë në lot gëzimi”, përfundoi Kastrati për Gazetën Express.
Ndërsa, Huduti Berisha ka deklaruar se duhet matur veprimet sepse sipas saj veprimet mund të lëndojnë më shumë se ndihma.
‘’Është e turpshme me ua kallxu fytyrat e njerëzve. Shko e fotografo shtëpitë. Halil Kastrati e Elvis Naci kanë kriju inferioritet me ata fëmijë. Teologu e ka vendin në xhami, e jo nëpër fonadacione. Fondet të mos shkojnë në duar të hoxhollarve”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.
‘’Ata e kanë shpërblim prej Zotit, por duhet të maten veprimet, sepse veprimet të lëndojnë më shumë se sa ndihma’’, ka thënë ajo.