Idris Sulejmani nga Tetova kërkon një vend në parlamentin kroat

Për herë të tretë me radhë, Idris Sulejmani, shqiptar me prejardhje nga Tetova, garon për mandatin e deputetit në Kroaci. Në një komunikim për Alsat, ai thotë se do të bëjë çmos për zgjidhjen e problemit të shtetësisë, me të cilën shqiptarët e shpërngulur atje përballen më shumë se 10 vite dhe sigurimin e qasjes së barabartë për pakicat në pushtetin lokal e qendror dhe në mediat publike.

Kësaj radhe qëllimi im është që pozita e shqiptarëve të jetë në piedestalin më të lartë në Republikën e Kroacisë, avancimi i të drejtave politiko ekonomike, pakicat kombëtare sipas ligjit kushtetues për pakicat të inkuadrohen në pushtetin qendror dhe lokal, punësim më të avancuar për pakicat, avancimi i Ligjit për blerjen e lokaleve afariste është e domosdoshme -tha Idris Sulejmani, Kandidat për deputet në Kroaci.

Sulejmani fton bashkëkombasit me shtetësi kroate të regjistrohen në institucionet përkatëse dhe në zgjedhjet e 5 korrikut ta votojnë atë për përfaqësues të grupit të pestë të pakicave, që përfshin shqiptarët, boshnjakët, malazezët, maqedonasit dhe sllovenët.

I lus të gjithë bashkë-atdhetarët, të gjithë votuesit e mi, ata të cilët do të më përkrahin sinqerisht në këto zgjedhje, ata duhet të regjistrohen në ambasadën kroate deri më datë 24 qershor, për shkak se në rast se nuk lajmërohen në ambasadë nuk do të kenë të drejtë të votojnë më datën 05 korrik – u shpreh Idris Sulejmani, Kandidat për deputet në Kroaci.

Sipas regjistrimit të vitit 2011, në Kroaci jetojnë 18 000 shqiptarë, 12 000 prej të cilëve kanë të drejtë vote.