Ibrahimi thirrje politikanëve në Tiranë e Prishtinë: Mos u mashtroni me trillime për rrezikimin e gjuhës shqipe

Pas thirrjeve të BDI-së dhe kryetarit të PDK-së për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, ka reaguar kryetari i Alternativës, pjesë e koalicionit qeveritar VLEN, Zeqirija Ibrahimi. Ai u bën thirrje politikanëve në Tiranë e Prishtinë që të mos mashtrohen me trillime. Ibrahimi shkruan se BDI njëherë i mashtronte Hashim Thaçin e Edi Ramën se gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut është zyrtarizuar, ndërsa tash, sipas Ibrahimit, përsëri i mashtrojnë disa politikanë të tjerë në Tiranë e Prishtinë se “gjuha që atëherë ata e kishin zyrtarizuar”, doli se nuk ishte zyrtarizuar, tash qenka e rrezikuar. “Për fat të keq, përsëri gjenden politikanë në Prishtinë e Tiranë që besojnë në ato trillime, ndërkohë që harrojnë se më të rrezikuar seç e kanë lënë ata shqipen si gjuhë të pakicës nuk ka si bëhet. Natyrisht, për neve që jetojmë këtu e dimë se nënteksti i këtyre lotëve “për gjuhën” është pasioni për pushtet dhe frika nga drejtësia. Koha e mashtruesve ka përfunduar”, shkruan Ibrahimi.