I zhdukur prej disa ditësh, trupi i peshkatarit gjendet brenda krokodilit

Pjesët e trupit të një burri australian, i cili u zhduk duke peshkuar me miqtë, janë gjetur brenda një krokodili.

Kevin Darmody, 65 vjeç, u pa për herë të fundit të shtunën në Kennedy’s Bend një habitat i njohur për krokodilët në Queensland, Australi.

Pas një kërkimi dy-ditor në zonë, policia vrau dy krokodilë të mëdhenj dhe brenda njërit prej tyre gjeti pjesë të trupit të njeriut. Dy krokodilët, të cilët ishin 4.1 m dhe 2.8 m të gjatë, u qëlluan për vdekje të hënën rreth 1.5 km nga vendi ku ai u pa për herë të fundit. Mbetjet njerëzore u gjetën brenda vetëm njërit prej zvarranikëve, por oficerët e kafshëve të egra besojnë se të dy ishin të përfshirë në incident.

Peshkatarët që ishin me 65-vjeçarin Darmody nuk e panë sulmin, por raportuan se e kishin dëgjuar të bërtiste.

Darmody ishte një peshkatar me përvojë dhe një anëtar i njohur i komunitetit në Cape York.

Krokodilët janë të zakonshëm në veriun tropikal të Australisë, por sulmet janë të rralla. Vdekja e Darmody është sulmi i 13-të fatal në Queensland që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në 1985. Që nga ndalimi i gjuetisë në vitin 1974, popullsia e krokodilëve në Queensland ka shkuar nga 5,000 në rreth 30,000 sot.