I thyen varrin, kush ishte Fatmir Haklaj, vrasje, atentate me mina dhe prita: Dosja e bujshme Tropoja

Varri i Fatmir Haklajt është shkatërruar nga persona të paidentifikuar.

Pllakat e varrit ishin thyer në disa copa.

Motra e tij, Zylfie Haklaj reagoi pas ngjarjes përmes një postimi në llogarinë në Facebook “Haklajt e Tropojës”.

“Ju po ngelshi tane kohen ne Koder te varrezave tona se edhe te vdekur jau keni frigen a mos po cohen. Na e kena dite qedo ti prishni dhe me qellim i kena punue me dite te sakte kushe merret me keto pune. Hajrin ja pafshi punes”, shkruan ajo.

Kush është familja Haklaj?

Deri në fillimin e viteve ’90 familja Haklaj ishte një nga mijëra familjet e thjeshta të Tropojës. I pari i saj Isuf Groshi, ishte një nga personat e njohur dhe të respektuar në Malësinë e Gjakovës, aq sa dhe sot bëmat dhe shprehjet e tij vazhdojnë të kujtohen, për urtësinë dhe zgjuarsinë e tyre. I biri, Muharrem Haklaj do të kishte shtatë fëmijë, pesë djem dhe dy vajza. Pothuaj të gjithë fëmijët do të arsimoheshin në shkolla profesionale. Pak muaj pas ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë, në verën e vitit 1992, Hamdi Haklaj dhe i vëllai Halili do të arrestoheshin me akuzën e vrasjes me mjete të forta të një ekonomisti në Bajram Curr. Dy djemtë më të mëdhej të familjes do të qëndronin në burg për gjashtë muaj rresht. Do të liroheshin për mungesë provash, por pas këtij momenti besimi i tyre ndaj të sapoardhurve në pushtet ishte thyer.

Shkëlzeni

Ngjarja që do t’i ekspozonte Haklajt dhe do të niste përballjen e tyre me policinë ishte ajo e 7 gushtit 1993. Vëllezërit Haklaj kishin shkuar për peligrinazh si shumë familje të Tropojës në vendin e shenjtë në malin e Shkëlzenit, i njohur ndryshe dhe si “varri i mirë”. Por për arsye ende të pasqaruara Shkëlqim Haklaj është konfliktuar me dy vëllezërit Besim e Guxim Demaj nga fshati Shipshan i Tropojës. Policia e ka rihapur dosjen pas afro 13 vjetësh dhe pretendon se në ndihmë të Shkëlqimit ka shkuar vëllai i tij i madh, Hamdiu. Në çastin kur konflikti i ka kaluar caqet, Hamdi Haklaj ka qëlluar me pistoletë në drejtim të dy vëllezërve Demaj të cilët kanë mbetur të vrarë. Pas rihapjes së hetimeve ekspertët mjeko-ligjorë kanë rizhvarrosur kufomat e viktimave për të siguruar prova të reja mbi autorësinë e krimit. Menjëherë pas ngjarjes policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Haklaj. Qysh nga ajo kohë silueta e Hamdi Haklajt do të shihej shumë rrallë në Tropojë, madje edhe pas kthimit të tij në Shqipëri në janar të vitit 1998. Fatmir Haklaj edhe pse nuk kishte probleme me drejtësinë dhe nuk ishte person i shpallur në kërkim, u është bashkuar vëllezërve për t’i ndihmuar të mos kapeshin nga policia. Nga gushti i vitit 1993 deri në fundin e vitit 1996 policia e rrethit verior dhe forcat speciale organizuan disa aksione për t’i arrestuar vëllezërit Haklaj, të cilët dyshoheshin se herë pas here ktheheshin nga jashtë vendit në banesën e tyre.

Aksioni

Aksioni më i madh i policisë së Tropojës dhe forcave speciale të ardhura nga Tirana është organizuar 5 tetor 1995. Kulla e Haklajve u rrethua nga qindra trupa të policisë që kishin marrë informacion në rrugë operative se dy vëllezërit e kërkuar Hamdi e Shkëlqim Haklaj ishin kthyer në banesë. Për të mbështetur këtë operacion janë angazhuar deri dhe helikopterë nga ajri, por vëllezërit Haklaj nuk u kapën. Gjatë veprimeve të forcave të Rendit mbeti i vrarë një polic i komisariatit të Tropojës. Rrethanat e vrasjes së tij janë ende dhe sot të pazbuluara nga autoritetet shtetërore. Nuk dihet nga kush dhe si u qëllua polici që ndodhej në rrethim së bashku me kolegët e tij. Pavarsisht faktit se kanë kaluar 14 vjet nga ngjarja e Shkëlzenit, Hamdi Haklaj nuk është gjykuar asnjëherë për të, pasi nuk ka patur prova të mjaftueshme për ta argumentuar fajësinë e tij.

Prita

Pas këtij operacioni të dështuar të policisë, Haklajt do të dilnin në skenë menjëherë pas trazirave të marsit 1997. I pari shfaqet emri i Fatmir Haklajt. Ai do të ishte protagonist në një përballje me mbështetësit e ish-presidentit Berisha. Haklaj kundërshton tu bashkohet vullnetarëve që po shkonin nga Tropoja në Tiranë për tiu bashkuar trupave të policisë për shuarjen e revoltave në jug të vendit. Ai nuk u mjaftua me kaq, por kundërshtoi dhe pengoi forcërisht oficerët e Gardës që kishin shkuar në Tropojë për të siguruar forca rezerviste. Për këtë akt ai do të vlerësohej nga mbështetësit e së majtës në Tropojë dhe do të vendosej kryetar i Komitetit të Shpëtimit Publik. Më 22 qershor 1997, Fatmir Haklaj i shpëton një prite të organizuar në afërsi të Milotit. Ai kishte udhëtuar së bashku me djalin e xhaxhait, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në Skrapar dhe një mikun e tyre nga Tropoja, Agron Gjyriçi, për një rast urgjent në Tiranë. Gjatë kësaj prite mbeti i vrarë Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rustemi, efektiv i forcave speciale. Rustemi për disa kohe kishte qëndruar pranë grupit të shoqërimit të deputetit demokrat Azem Hajdari. Ibrahim Rustemi kishte planifikuar të udhëtonte në drejtim të Tropojës gjatë po asaj nate, së bashku me trupat e Gardës dhe forcat speciale. Misioni i tyre ishte të siguronin vizitën e ish-presidentit Berisha dhe mitingun elektoral që do të zhvillonte ai të nesërmen në Tropojë, ku do të shpallej dhe kandidatura e PD-së për deputet, Azem Hajdari. Rustemi lë njoftim në banesën e vet se nëse e kërkonin nga reparti, tu thoshin se ai ishte nisur përpara me Sokol e Fatmir Haklajn për shkak të një fatkeqësie që i kishte ndodhur. Fatmir Haklaj arriti të vriste një nga autorët e pritës në momentin që ai iu afrua autoveturës për tu dhënë goditjen e fundit viktimave. Fatmir Haklaj dyshon se pas kësaj prite fshihen persona të rëndësishëm. Disa ditë pas pritës Haklaj identifikon autorët e saj dhe lidhjet e tyre në Tiranë. Hakmarrja për këtë atentat është e pamëshirshme. Tre nga katër autorët e mbijetuar të atentatit të Milotit ekzekutohen njëri pas tjetrit në rrethana ende të pazbardhura. Familjeve të dy prej tyre u digjen kullat në fshatrat e Mirditës. Ndërsa i mbijetuari i fundit prej atentatorëve, një emër i njohur i botës së krimit në zonën e Mirditës, u ekzekutua gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale në vitin 1999 në Mamurras.

Konflikti

Kufomat e pritës së Milotit nuk ishin kthyer ende në Tropojë, kur zhvillohej mitingu elektoral në sheshin qëndror të Bajram Currit. Gjatë këtij mitingu ndodh një tjetër konflikt, këtë radhë është Shkëlqim Haklaj, i cili reagon ashpër në momentin që ishte duke folur ish-presidenti Berisha. Irritimit të Haklajt i është bashkuar dhe Feriz Kërnaja, i sapo dalë nga burgu. Kërnaja ishte bërë i njohur për shkak se kishte qëndruar për disa kohë në të njëjtin burg me kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. Madje një foto e përbashkët e Kërnajës, Fatos Nanos dhe Nehat Kullës, një nga kapot e njohur në kryeqytet u botua në shtypin e kohës. Gjatë zgjedhjeve të 29 qershorit Haklajt mbështetën kandidatin e PS-së për Tropojën dhe dalën haptazi kundër kandidatit të PD-së Azem Hajdari. Vëllezërit Haklaj ndihmuan gjatë fushatës elektorale për referendumin dhe pretendentin për fronin mbretëror Leka Zogu gjatë një vizite të tij në rrethin e Tropojës. Kundërshtarët e monarkisë tentuan të pengonin vizitën e Zogut, por në krah të tij, përkrah shumë djemëve të Tropojës u rreshtuan dhe vëllezërit, Fatmir, Shkëlqim dhe Ylli Haklaj. Pas zgjedhjeve parlamentare Hajdari u shpall deputeti i ri i Tropojës, por situata ndryshoi në disfavor të së djathtës, për shkak se e majta fitoi zgjedhjet në gjithë vendin dhe Fatmir Haklaj me propozim të degës lokale e PS-së dhe me firmën e ish-ministrit të Rendit Neritan Ceka mori detyrën e shefit të komisariatit.

Protesta

Më 17 shtator 1997 deputeti demokrat Azem Hajdari u plagos në parlament nga deputeti socialist i rrethit të Hasit, Gafurr Mazrreku. Një ditë më pas, më 18 shtator 1997, dega lokale e PD-së në Bajram Curri organizoi një protestë për të denoncuar plagosjen e deputetit të Tropojës. Organizatorët e protestës paraqiten në polici dhe i kërkojnë leje shefit të komisariatit Fatmir Haklaj. Ai u jep leje për zhvillimin e mitingut por kërkon që të mbahet në kompleksin e lojërave me dorë në qëndër të qytetit. Mbështetësit e shumtë të PD-së fillimisht grumbullohen në kompleksin e lojërave me dorë. Por më pas protesta vazhdoi nëpër rrugët e qytetit. Fatmir Haklaj i njoftuar për rrjedhën që mori protesta vendos të përballet personalisht me drejtuesit e saj. Ai u del përballë protestuesve në shëtitoren e Bajram Currit. Haklaj debaton ashpër me disa nga organizatorët, madje qëllon me grusht njërin prej tyre. Nga ky moment protesta shpërndahet, por Fatmir Haklajt nuk do tia falnin kurrë atë që bëri. Ai do të qëndronte dhe për katër muaj të tjerë në detyrën e shefit të komisariatit. Gjatë kësaj kohe vendosi rregull dhe rend në Tropojë, diku me fjalë e diku me forcë. Bandat e grabitësve që kishin pushtuar rrugët dhe bënin kërdinë, preferonin më mirë të mos përballeshin me të, sepse më shumë se sa arrestimit dhe burgut, i druheshin ndëshkimit hakmarrës të tij. Nga një person në arrati për të ndihmuar vëllezërit që kërkoheshin nga policia, Fatmir Haklaj u kthye brenda disa muajsh në një sherif alla far ëest, që më tepër se zbatimin e ligjit të brishtë, parapëlqente ndëshkimin tradicional të malësisë ku ishte rritur. Për Pesë muaj me radhë në Tropojë, nuk ndodhi asnjë vrasje edhe pse ishte viti 1997 dhe armët ishin në duart e gjithkujt. Personat problematikë preferonin më mirë të largoheshin ose të rrinin urtë, sesa të përballeshin me dorën e hekurt të Fatmir Haklajt, që i veshur dhe me uniformën e shtetit ishte bërë njeriu më i pushtetshëm në veri të vendit.

“Dosja Tropoja”, dëshmitari kyç, 9 vjet jashtë vendit