I shërbyen alkool të miturve, dënohen disa objekte hotelerie

Mbrëmjen e djeshme, gjatë një aksioni kontrolli në lokalet e hotelerisë në të gjithë vendin, policia ka gjetur të mitur që kishin konsumuar alkool. Kontrolli është kryer nga mesnata deri në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm në 279 objekte hotelerie.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton sot se janë konstatuar gjashtë shkelje për praninë e të miturve në objektet e hotelierisë pas kohës së lejuar, dy vepra penale “derdhje e pijeve alkoolike tek të miturit”, nëntë vepra nga Ligji për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe tri shkelje të Ligjit për letërnjoftime. Nga MPB thonë se pas dokumentimit të rasteve, vijojnë kallëzime përkatëse.