I riu nga Bosnja kërcënon në Instagram: ‘Prej kohësh po përgatis një masakër të paparë në Shkollën Ekonomike, betohem në jetë’


I riu nga qyteti Bihaq në Bosnje dhe Hercegovinë, A. Z., prej ditësh kërcënon se do të bëjë vrasje të përgjakshme siç ndodhi në Serbi dhe do të vrasë nxënës dhe punonjës në Shkollën Ekonomike, raporton portali “Avaza”.

Një rast i tmerrshëm tronditi rajonin dje dhe sot kur i dyshuari 14 vjeçar, K. K., kreu masakër në Vraçar të Beogradit, e cila u pasua me një sërë dënimesh si nga personazhet publike ashtu edhe nga qytetarët. Mirëpo, nuk kanë munguar as postimet në rrjetet sociale ku vlerësojnë këtë akt monstruoz të djalit. “Ai djali që vrau tetë fëmijë është mbret për mua! Një gjë të tillë e kam përgatitur për një kohë të gjatë për shkollën ekonomike në Bihaq. Do të ketë një masakër të paparë në Bihaq, ju betohem me jetën time! Kur të gjithë më gjykonit dhe më shmangnit, për këtë do të ketë terror”- ka shkruar i riu nga Bosnja.

Policia ka informacion për këtë rast, të cilin e kanë konfirmuar edhe MPB-ja e Kantonit të Una-Sanës. “Kemi informacione. Është informuar edhe Prokuroria. Ky është person i njohur për ne në polici. Nuk e dimë se i çfarë viti është. Mendoj se është i mitur. Nuk e dimë nëse dikush e ka raportuar. E kemi parë në rrjetet sociale dhe më pas e kontrolluam sipas detyrës zyrtare” – ka thënë për portalin “Avaza”, Bahrudin Dzelalagiq, zëdhënës i MPB-së.