I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, krijuan dyshime mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10 shkurt 2024, në rrugën “Teuta” në Kamëz ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një vajzë vetëm 27 vjeçe.
E reja, si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën.
Për tragjedinë kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit Altin Çoku, 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të katërt dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.