“I pres të gjallë”: Babai i katër djemve të zhdukur refuzon ADN-në, shpreson se ata do kthehen

Halil Hasani, 77-vjeçar nga fshati Çabër i Komunës së Zubin Potokut, jeton me besimin se katër djemtë e tij, të zhdukur për më shumë se njëzet vjet, janë ende gjallë diku në Serbi dhe se një ditë do të kthehen.

Hasani thotë se djemtë e tij janë rrëmbyer nga forcat serbe në fshatin Zhabar të Mitrovicës, më 8 qershor të vitit 1999, pak ditë para se të përfundonte lufta në Kosovë.

Atëbotë, djali i madh, Fadili, ka qenë 32 vjeç, Gazmendi 24 vjeç, Armendi 20 vjeç dhe Hasani 15 vjeç.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, babai i tyre thotë se, menjëherë pas luftës, ka vendosur kontakte me së paku dy persona të nacionalitetit serb, të cilët, siç tregon, i kanë thënë se djemtë e tij janë dërguar në Serbi si “robër lufte”.

“Ata, sipas informatave që i kam unë, më së pari kanë shkuar në Beograd. Në Beograd kanë qëndruar më pak se një muaj. Më pas i kanë çuar në Pozharevc [qytet i Serbisë]”.

“Unë i kam pasur lidhjet dhe thuajse çdo javë kam folur me njërin [prej kontakteve] dhe me një tjetër çdo dy javë. Ata gjithmonë më kanë thënë se gjenden gjallë”, rrëfen Hasani.

“Ka shumë të gjallë… më shumë ka të gjallë sesa që mendoni ju, dhe i mbajnë për të kushtëzuar… Ata janë robër lufte”, janë fjalët e njërit prej kontakteve të tij, sipas Hasanit.

Mosbesimi ndaj institucioneve

Hasani nuk do që t’i identifikojë personat, me të cilët thotë se ka biseduar. Ai thotë se informatat që i ka marrë prej tyre, ua ka ofruar përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.

Por, përfaqësuesit e institucioneve, thotë ai, i kanë thënë se burimet e tij po e gënjejnë dhe se informatat janë të rrejshme.

Hasani thotë se, më vonë, përfaqësuesit e institucioneve ia kanë ofruar atij letërnjoftimet e gjetura të dy prej djemve të tij.

“Më thanë: eja merri. Nuk kam shkuar t’i marr. Pse? Po, ku ishin qe 10-15 vjet ato letërnjoftime, që nuk i treguan? Ku ishin dhe kush i mbajti”, pyet Hasani.

Ai thotë se ka refuzuar të japë mostrat e gjakut të tij, që do të ndihmonin identifikimin eventual të djemve të tij – përmes metodës së ADN-së – në rast se ata gjenden në mesin e mbetjeve mortore në varreza masive ose në morgun e Prishtinës.

Arsyen e refuzimit, Hasani e shpjegon kështu:

“Sepse, nuk iu besoj. Sa për eshtra, kurrë mos i gjetsha. Unë mendoj se ka të gjallë ende dhe i pres të gjallë. Sa për eshtra, çfarë më duhen eshtrat e rrejshëm…”.

Në morgun e Prishtinës, tash e sa vite, mbeten rreth 400 mbetje të paidentifikuara mortore të personave të zhdukur gjatë luftës.

Kjo, për faktin se shumë familjarë hezitojnë të japin gjak për analizën e ADN-së, që bën identifikimin, kryesisht për shkak të mosbesimit në institucione.

Gjatë viteve, ka pasur raste edhe kur mbetjet janë identifikuar gabimisht, në bazë të metodës tradicionale të identifikimit, e cila bazohet në të dhënat antropomorfe, në rrobat që kanë pasur veshur viktimat ose në objektet e gjetura në varre. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) thotë se metoda e ADN-së është e besueshme dhe se identifikimi duhet të bëhet përmes saj.

Nga ky komision thonë për Radion Evropa se është e nevojshme që të rishikohet metoda tradicionale e identifikimit edhe e rreth 2,000 mbetjeve të tjera mortore – të gjetura gjatë periudhës 1999-2001 – që mund të jenë identifikuar gabimisht.

“Identifikimet e gabuara rezultojnë me një numër të madh të rasteve të paidentifikuara nëpër morgje. Sot, në morgun e Prishtinës janë rreth 400 raste të mbetjeve njerëzore të paidentifikuara, të cilat janë zhvarrosur dy dekada më parë. Këto mbetje mund t’u përkasin njerëzve, familjet e të cilëve besojnë se i kanë varrosur, ndërsa, në fakt, kanë varrosur dikë tjetër”, thonë nga ICMP-ja.

Si shembull, ICMP-ja përmend një projekt në Bosnje e Hercegovinë, përmes të cilit është bërë rishikimi i detajuar i 12 morgjeve dhe, në atë rast, janë identifikuar një numër i madh i personave të zhdukur.

“Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur do ta ndihmojë Kosovën dhe është i gatshëm t’i ndihmojë vendet e tjera të rajonit për ta ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm, në mënyrë që të identifikohen personat e zhdukur dhe të zgjidhet çështja e identifikimeve të gabuara të mundshme”, thuhet në deklaratën e ICMP-së dhënë REL-it.

IML: Rishikimi i mbetjeve mortore, proces i gjatë
Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë thotë se të dhënat e ICMP-së për mbetjet e paidentifikuara njerëzore në morgun e Prishtinës janë “vetëm një vlerësim” dhe se numri i saktë i tyre do të dihet vetëm pasi të përfundojë plotësisht procesi i rishikimit të mbetjeve mortore.

Në deklaratën dhënë REL-it, ky institut thotë se, në fund të vitit 2021, ka formuar një grup punues për rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës, i cili udhëhiqet nga ekspertët e këtij instituti.

Ky proces, sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka filluar që të zbatohet “në bashkëpunim të ngushtë me anëtarët e tjerë të grupit punues: EULEX (Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë), Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZH), Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”.

“Rishikimi i mbetjeve mortore në IML do të jetë një proces kompleks dhe i gjatë, pasi që, krahas rishikimit të mbetjeve mortore, do të bëhet edhe rishikimi i plotë i dosjeve individuale të të gjitha rasteve, në mënyrë që në fund ta kemi një pasqyrë të qartë lidhur me numrin dhe statusin individual të të gjitha rasteve”, thotë IML-ja.

Grajçevci: Mosbesim i familjarëve të traumatizuar

Raste kur familjarët e personave të zhdukur nuk dëshirojnë të ofrojnë mostrat e gjakut dhe nuk i besojnë analizës së ADN-së, ka mjaft, thotë Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë.

Sipas tij, këta familjarë besojnë se më të dashurit e tyre janë gjallë dhe presin që ata të kthehen një ditë, pavarësisht që institucionet u kanë ofruar dëshmi se ata nuk janë gjallë.

“Familjarët nuk duan ta kuptojnë këtë. Ndërkaq, institucionet, sidomos Komisioni qeveritar [për personat e zhdukur] ka insistuar në këtë drejtim. Ka insistuar edhe për dhënien e mostrave. Por, unë them, për t’i bindur familjarët, për të qenë më lehtë, duhet një grup i madh psikologësh që të punojnë me ta dhe t’i bindin, sepse njerëzit janë të traumatizuar. Ka njeri që i ka tre-katër familjarë, pesë ose dhjetë [të zhdukur]. Do të thotë, është e dhimbshme kjo”, thotë Grajçevci për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kur familjarë të caktuar ta kuptojnë se identifikimi përmes metodës së ADN-së është i sigurt dhe japin mostrat e gjakut, puna e institucioneve përgjegjëse, por edhe e organizatave që përfaqësojnë familjarët e personave të pagjetur, lehtësohet shumë.

Kjo, thotë Grajçevci, do të ndihmonte edhe në identifikimin e mundshëm të disa qindra mbetjeve mortore, të cilat mbeten në morgun e Prishtinës.

Por, shton ai, institucionet duhet të punojnë fillimisht në identifikimin e atyre rasteve që mund të identifikohen në morgun e Prishtinës, në mënyrë që të hapin rrugën e mirëbesimit për familjarët që hezitojnë të japin mostrat e gjakut.

“Në momentin që [vërtetohet se] janë brenda morgut, atëherë njerëzit fillojnë të vetëdijesohen dhe të lajmërohen vetvetiu. Derisa institucionet të mos jenë prapa nesh në këtë drejtim, është shumë vështirë që ne t’i bindim familjarët për t’i dhënë pesë pika gjak”, thotë Grajçevci.

Deklarata për të zhdukurit
Në korrik të vitit 2018, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, kryeministrat e Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, së bashku me nëntë krerët e qeverive të vendeve evropiane në Procesin e Berlinit, kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur.

Deklarata thekson përkushtimin e vendeve në rajon dhe të partnerëve të tyre për të mbështetur përpjekjet për të gjetur së paku 11,000 persona ende të zhdukur, si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi.

Deklarata e përbashkët, gjithashtu, mbështet të drejtat e të gjitha familjeve të personave të zhdukur për të vërtetën dhe drejtësinë.

Çështja e personave të pagjetur është edhe temë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 14 qershor se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në luftë, por nuk ka ofruar më shumë detaje.

Gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1,600 persona.

Qindra trupa të shqiptarëvetë vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.