I nxehti përvëlues në Pakistan, morgjet nuk kanë më vënde

Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e motit të nxehtë në Pakistan, gjatë ditëve të fundit, kur temperaturat kanë arritur deri në 49 gradë Celsius.

Situata paraqitet alarmante në pjesën jugore të vendit, në Karaçi, ku raportohet se gjatë gjashtë ditëve kanë mbërritur në morg 568 trupa të pajetë, 141 prej të cilëve vetëm të martën.

Qindra njerëz të tjerë janë dërguar në spital me shenja të qarta dehidratimi, ndërkohë që edhe aty nuk ka më vende për të ndihmuar pacientë të tjerë. Simptomat përfshijnë të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë.

Përpjekja e Karaçit për t’u përballur me temperaturat e larta po përkeqësohet nga ndërprerjet e rregullta të energjisë elektrike, duke lënë mijëra familje në të nxehtë.

Sipas gazetës Dawn, pothuajse 30 persona janë gjetur të vdekur nga shërbimet e urgjencës në rrugët e qytetit.