Prokuroria Publike e Kumanovës ka caktuar paraburgim për inspektoren e ndërtimit nga Komuna e Kumanovës, e cila u kap duke marrë ryshfet. Prokurori kompetent ka paraqitur kërkesë për masë paraburgimi për të dyshuarën tek gjykatësi i procedurës paraprake. Kërkesa u pranua dhe Gjykata vendosi paraburgimin për 30 ditë.
Hetimi është hapur pasi e dyshuara, më 1 nëntor, në një restorant në Kumanovë, në cilësinë e saj si person zyrtar – inspektore ndërtimi në Komunën e Kumanovës – Sektori për mbikëqyrje të inspektimit të ndërtimit, kërkoi dhe mori dhuratë për të mos kryer një veprim zyrtar që do të duhej ta kryente, duke përfituar kështu një dobi të konsiderueshme materiale.
Që në gusht të këtij viti, ajo kreu inspektim në vendndodhje të një ndërtese të vendosur në rrugën “Done Bozhinov” dhe konstatoi devijime nga leja për rikonstruksionin e objektit. Në vend që, sipas autorizimit të saj zyrtar, të hartonte një procesverbal për mbikëqyrjen inspektuese dhe Vendim për heqjen e pjesëve të shtuara të objektit, ajo kërkoi drejtpërdrejt nga ndërtuesi i dëmtuar i objektit një ryshfet prej 1500 eurosh.
Kur në shtator të këtij viti, e akuzuara u shkarkua nga pozita e udhëheqëses së inspektoratit të ndërtimit dhe u emërua si inspektore e autorizuar, ajo shkoi për të kontrolluar një tjetër objekt në ndërtim, ku menaxheri i firmës ndërtuese ishte përsëri i njëjti i dëmtuar. Ajo konstatoi gjithashtu mangësi në fazën e ndërtimit – devijim nga leja për ndërtim, por përsëri nuk përgatiti një procesverbal për mbikëqyrjen inspektuese dhe një Vendim për heqjen e mangësive të konstatuara në ndërtim. Në vend të kësaj, ajo u takua me të dëmtuarin dhe kërkoi një ryshfet shtesë prej 2,500 eurosh, ose gjithsej 4,000 euro për të dy objektet. Paratë u paguan plotësisht në dorë më 1 nëntor, duke i siguruar kështu të akuzuarës një përfitim të paligjshëm material.
“Ryshfeti nuk duhet të jetë një rregull; çdo kush do të përballet me pasojat e krimit të kryer, ligji është i njëjtë për të gjithë. Çdo veprim të paligjshëm do të dënohet në përputhje me ligjin,” tha dje Aleksandar Janev, drejtor i Byrosë për Siguri Publike. Ai njoftoi se çdo veprim të paligjshëm do të dënohet në mënyrë të përshtatshme.