I lindur për trafikant droge, prindërit në burg, 12-vjeçari drejton “biznesin” e familjes

Fëmijët në moshën e tij janë të fiksuar pas lojërave, por i rritur në një familje trafikantësh droge, një 12-vjeçar në Brazil ka marrë drejtimin e “biznesit” familjes së tij, pasi prindërit kishin përfunduar në burg.

Policia braziliane ka bërë të ditur se ka marrë në paraburgim 12-vjeçarin pasi zbuluan në shtëpinë e tij 170 pako me kokainë, 59 qese me marijuanë dhe një sasi kraku. Fëmija është dërguar më pas në institucionin e rehabilitimit për të mitur.

Kjo ngjarje vjen vetëm një ditë pasi në internet u bënë virale pamjet që tregonin se si rrjetet e trafikut të drogës në Brazil përdornin fëmijë deri në 5 vjeç për shpërndarjen e drogës në lagjen Bairro de Fátima të Rio de Zhaneiros.