Policia e Tiranës ka arrestuar personin që plagosi efektiven e forcave Shqiponja gjatë protestës së banorëve të “Astirit” para Parlamentit të Shqipërisë.
Policia njofton se u arrestua Daniel Drobaj, 18 vjeç me banim në Tiranë. Efektivja Ina Nuka, 24 vjeç mbeti e lënduar rëndë në njërën dorë, pas shpërthimit të një shashke që u hodh nga turma gjatë protestës. Si pasojë, ajo humbi dy gishtërinj të duarve ndërsa këtë mbrëmje është nisur drejt Turqisë, ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në një spital në Stamboll.
Këtë premtim ja dha mbrëmë kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që i bëri polices në Spitalin e Traumës. Banorët e zonës së “Astirit” protestuan kundër qeverisë në lidhje me projektin e Unazës së Madhe duke kërkuar dëmshpërblim të plotë në vlerën reale të tregut për shembjen e shtëpive të tyre që preken nga ndërtimi i rrugës.
Të plagosur mbetën edhe efektivë të tjerë, dhe disa protestues. Ndërsa prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 6 protestues të cilët u shoqëruan ditën e tubimit që shpërtheu në dhunë.
Në ngarkim të arrestuarit për plagosjen e polices, policia thotë se do të referohen materialet procedurale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.