I ka 340 milionë dollarë borxhe, “Deutche Bank” pezullon marrëdhëniet me Trump

Gazeta shkruan se banka më e madhe gjermane nuk dëshiron që të zhvillojë më në të ardhmen biznese me Trumpin dhe firmat e tij. Gazeta “New York Times” i referohet një të ashtuquajturi “i brendshëm”.
Sipas njoftimeve, Trumpi i ka borxh bankës 340 milionë dollarë, të cilat duhet të paguhen vitet e ardhshëm. Deutsche Welles iu tha nga banka se nuk dëshiron që ta komentojë këtë njoftim. Në parim banka nuk flet publikisht për marrëdhëniet me klientë të veçantë.

Trumpi është klient i Deutsche Bank-ë për më shumë se dy dekada. Në fillim të viteve 1990, sipas të dhënave nga brenda, Trumpi kishte marrë më shumë se dy miliardë dollarë kredi. Ky klient prominent ka bërë që për Deutsche Bank-ën të shkruhen artikuj negativë. Demokratët e Kongresit amerikan i kanë kërkuar bankës herë pas here që të japë informacione për bizneset me presidentin republikan, por banka nuk ka pranuar duke iu referuar ligjeve.

Po ashtu Deutsche Bank-a i ka dhënë kredi Trumpit, në kohën kur banka të tjera nuk kishin pranuar. Sipërmarrja familjare e Trumpit, organizata e Trumpit dhe Shtëpia e Bardhë, nuk u përgjigjën fillimisht, shkruan Reutersi. Bizneset familjare drejtohen aktualisht nga dy djemtë e Trumpit.

PGA of America nuk do të zhvillojë takimin e saj në qendrat e golfit të Donald Trumpit
Shefja amerikane e Deutsche Bank-ës, Christiana Riley, dënoi javën e kaluar në një shkrim të postuar në Linkedin, su*lmin mbi Kapitol-in, ku humbën jetën disa veta në rrethana të ndryshme.
Reuters pati shkruar vitin e kaluar se Deutsche Bank-a është duke parë mundësitë që t’u japë fund marrëdhënieve të biznesit me Trumpin pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Organizatës së Trumpit i takojnë disa hotele dhe klube golfi.

Rënie në sheshet e golfit
Edhe sipërmarrje të tjera janë duke i kthyer ndërkohë krahët presidentit, pas sulmeve mbi Kapitol-in dhe rolit që Trumpi luajti gjatë tyre. Shoqata Amerikane e Lojërave të Golfit, PGA of America bëri të ditur se nuk do ta zhvillojë takimin vjetor “PGA Championship” 2022, në fushat e golfit të Trumpit në Nju Xhersi. Kjo garë është një nga të ashtuquajturat Majors në lojërat e golfit dhe pritej të ishte më e madhja, ndër shumë sheshet e golfit të Trumpit. Presidenti i Shoqatës së Golfit, Jim Richerson, tha se “emri” i kësaj shoqate, do të dëmtohej, nëse lojërat do të zhvilloheshin në sheshin e golfit të Trumpit.

Sipas njoftimeve të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeinen Zeitung” dhe gazetës amerikane “Wall Street Journal” edhe specialistët e blerjeve online Shopify, sipërmarrja Fintech, Stripe dhe tregtari i pasurive të patundshme, JLL, janë tërhequr nga bizneset që kanë me Trumpin. Nëpërmjet Shopify-it u shitën artikujt e Trumpit si për shembull kapelat e kuqe “Base Caps”, nëpërmjet Stripe-it u kryen aksionet e mbledhjes së donacioneve, JLL u mor me shitjen e hoteleve të Trumpit në Uashington.

“Presidenti që po largohet nxiti dhunën”
Direkt pas sul*mit mbi Kapitol-in, Shoqata e Sipërmarrësve Amerikanë National Association of Manufactures u nda me fjalë të ashpra nga Trumpi. Në deklaratë u tha: “Presidenti që nuk u zgjodh sërish nxiti dhunën në përpjekje për të qëndruar në pushtet dhe çdo politikan që e mbron shkel premtimin e dhënë për respektimin e Kushtetutës”.

Në këtë shoqatë marrin pjesë koncerne si “Pfizer”-i dhe “Exxon”-i. Shoqata ombrellë e sindikatave AFL- CIO, investitori miliarder Nelson Peltz dhe shefi i firmës së akulloreve “Ben & Jerry” kërkuan ndërkohë largimin e menjëhershëm të Trumpit.

Disa koncerne i ndërprenë donacionet për aleatët e Trumpit në Partinë Republikane. Rrjeti i hoteleve “Marriott”, kompania e sigurimit shëndetësor “Blue Cross Blue Shield” dhe koncerni financiar “American Express” i ndërprenë të gjitha donacionet për deputetët republikanë, që votuan javën e kaluar gjatë takimit në Kongres kundër konfirmimit të Joe Bidenit si fitues i zgjedhjeve.

Edhe platformat e mëdha të Internetit si Twitteri dhe Facebooku nuk duan ta kenë më Trumpin si klient. Mbas bllokimit të llogarisë së tij, aksionet e Twitterit humbën dhjetë për qind të vlerës në bursë.
Me sa duket Deutsche Bank-a nuk pret që Trumpi do t’i shlyejë kreditë. Në “Nju Jork Times” thuhet, se “Banka ka arritur në përfundimin se pavarësisht nga zbutja e borxhit, nuk ka mundësi që të shkëputet nga Trumpi para fillimit të pagesës së kredive.
Dy kredi me nga mbi 330 milionë dollarë bëhen të kthyeshme në vitin 2023 dhe 2024. Për të marrë ato, Trumpi ka hyrë vetë personalisht garant.