I jepet lamtumira njërit ndër ushtarëve të parë të UÇK-së!

Komuna e Deçanit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ka organizuar sot mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj.

Bashkëshortja e Cenës, Lule Aliçkaj ka kujtuar bashkëshortin e saj, Cen Aliçkaj si komandat për gjithë vendin.

“Lamtumirë, komandanti im. Sot para teje jam krenare si bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja jote. Më kokën lart rrinë Ajshja dhe Lavdimi për të dhënë përshëndetjen e radhës, por assesi të fundit. Nuk është e fundit komandat sepse sot po kalon në përjetësi, do vazhdosh të jesh pjesë e pandarë dhe udhërrëfyes për mua, Ajshen dhe Lavdimin. Krahët më të cilët do të përqafoje e zëvendësojnë, krahët e Ajshes dhe Lavdimit. Buzëqeshjen tënde do ta gjejmë në kujtimet tona, ndërsa madhështinë tënde do ta gjejmë në çdo cep të Kosovës. Do ta mbajmë lotin dhe do të buzëqeshim sepse e dimë sesi ndihesh kur do t’i takosh bashkëluftëtarët dhe shokët e idealit. Një ditë do të vimë edhe ne te ti, do t’i mbledh forcat dhe dëshirën për të jetuar, sepse kam amanetet qe duhet përmbushur”, është shprehur Aliçkaj.