Me nderime të larta i është dhënë lamtumira Hilmi Haradinajt.
Ai është varrosur në varrezat e Kompleksit Memorial ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gllogjan, vendlindjen e tij.
Haradinaj është babai i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe heronjve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj.
Në varrimin e tij morën pjesë shumë personalitete, nga vende të ndryshme.
Ndërkaq, edhe në mbledhjen komemorative të pranishëm ishin shumë personalitete të njohura nga skena politike nga Kosova dhe rajoni.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndau dekoratën për 10- vjetorin e pavarësisë për të ndjerin Hilmi Haradinaj.
“Bacin Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të UÇK-së, në vitin 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha njohur Luanin. Ju humbët një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm. Ne mbetëm pa një njeri me zemër të madhe. Ai nuk u dorëzua edhe përballë sfidave. Ai përballoi padrejtësitë e burgosjes së bijve të tij. Ishte njeri me vlera, burrë i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë shqiptarisë”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se me humbjen e të atit ndjejnë dhimbje të gjithë bashkëluftëtarët.