“I hoqën mitrën, vezoren dhe veshkën lehonës”, aktakuzë ndaj tre mjekëve nga Struga!

Prokurori i Prokurorisë Themelore Publike në Strugë pas procedurës paraprake ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për veprën penale – Vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut- gjegjësisht shkelje të nenit 217 paragrafi 3 lidhur me nenin 207 paragrafi 1 dhe 3 nga Kodit Penal, përcjell TV21.

Prokuroria njofton se dy të pandehur janë mjek specialist gjinekolog, ndërsa i pandehuri i tretë është specializant në gjinekologji pranë Qendrës Mjekësore në Strugë. Mjekët në fjalë dyshohet se i kanë përkeqësuar gjendjen shëndetësore një lehone pasi gjatë lindjes kanë përdorur mënyrën dhe mjetet joadekuate për shërim.

“Lehona është pranuar me datë 27.08.2020 për lindje në repartin gjinekologjik, pasi ka qenë në javën e 40-të të shtatzënisë. Ajo është pritur nga i pandehuri i parë, i cili e ka trajtuar si paciente gjatë gjithë shtatzënisë dhe ka vendosur që lindja të bëhet me prerje cezariane. I pandehuri i dytë ka ndihmuar në operacion, por gjatë operacionit kanë dëmtuar arterien e majtë renale (të veshkës)”, thonë nga Prokuroria.

Nga Prokuroria shtojnë se si rrjedhojë dyshohet se pacientes i është përkeqësuar gjendja, pas çka mjektë kanë kryer edhe dy intervenime kirurgjike joadekuate nga ku kanë hequr nga pacientja mitrën, vezorën e majtë dhe veshkën.

Në rrethana të tilla, i pandehuri i parë, me ndihmën e të pandehurit të tretë, ka vendosur që të kryejë një operacion të ri për parandalimin e gjakderdhjes, heqjen e mitrës dhe vezores së majtë, ndonëse nuk ka pasur ndryshime apo lëndime në këto organe. Pasi gjakderdhja nuk u ndal edhe pas mbylljes së pacientit, ata vendosën për një operacion tjetër dhe kirurgët zbuluan se gjakderdhja ishte për shkak të dëmtimit të arteries renale të shkaktuar nga operacioni cezarian. Për shkak të pamundësisë për të rindërtuar arterien renale, është dashur të fashohet dhe të hiqet veshka e majtë për t’i shpëtuar jetën të dëmtuarës”, njoftojnë nga Prokuroria.

Pas kësaj lehonës i është ndalur gjakderdhja dhe e njëjta është dërguar për mjekim në Klinikën “Nënë Tereza” në Shkup.