I dyshuari për kërcënim ndaj kryeministrit: Kam menduar se ai nuk e do fenë islame

I dyshuari për kërcënim ndaj kryeministrit B. Elshani, para gjykatës është arsyetuar në lidhje me postimin e tij, të cilin prokuroria e cilësoi si përgatitje të veprave terroriste.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin i është caktuar masa e paraburgimit, i dyshuari Elshani, para gjykatës ka thënë se nuk ka pasur asnjë qëllim ta kërcënojë kryeministrin Haradinaj.

“Siç e kam thënë edhe në deklaratë, nuk ka qenë qëllimi im që ta kërcënoj kryeministrin sepse edhe po të doja nuk kam mundësi ndërsa kam menduar se ai nuk e do fenë islame duke i dëgjuar disa deklarata se po flet keq për myslimanët”, tha Elshani në Gjykatë.

Elshani, në seancën për caktimin e masës së sigurisë ka thënë se postimin e cilësuar si kërcënues nga prokuroria e ka bërë nga mendjelehtësia.

“Unë me atë postim i cili nuk ka qenë i imi por e kam përdorur dhe e kam qit veç si thënie por nuk kam pasur ndonjë qëllim të keq por krejtësisht nga mendjelehtësia e kam kryer këtë ashtu që edhe njëherë i kërkoj falje gjykatës”, përshkruan aktvendimi i Gjykatës thëniet e Elshanit në gjykatë.