I duhen tremijë punëtorë, amerikani në “gjah” edhe në Kosovë (VIDEO)


Është në kërkim të rreth tremijë punonjësve. Për kaq fuqi punëtore ka nevojë Jehan Noon, ky biznesmen amerikan, i cili është dukë punuar për të përmbushur kërkesat e tregut të shumë vendeve të botës, ku kompania ndërmjetëse e tij operon. E të rinjtë kosovarë po shihen me potencial të madh për të shërbyer në këtë sektor ndërkombëtar e sidomos në shtetin gjerman.

“Kosova ishte një përshtatje e përkryer për këtë, kështu që planet tona të zgjerimit janë të paktën dy deri në tremijë staf të ri, në dy-tre vjetet e ardhshëm”, ka thënë Jehan Noon, në një intervistë ne Klan Kosova.
E të gjithë të punësuarit do t’i nënshtrohen një procesi të trajnimit, derisa punën mund ta kryejnë edhe nga shtëpia.

“Ne ndjejmë se Kosova ka mjaft talente për momentin dhe kjo nënkupton se ne do të marrim njerëzit e duhur. Në fakt, kujdesemi për punonjësit, ne duam që ata të rriten dhe të bëhen më të mirë me kalimin e kohës, kështu që duam të investojmë në edukimin e tyre”, ka shtuar ai. Noon, që për këtë arsye po qëndron në Kosovë, është i entuziazmuar edhe më mikpritjen e kosovarëve.

“Kjo është hera ime e parë këtu dhe nuk jam ndjerë më mikpritës, ushqimi është fantastik, më është rritur barku. Dje u ushqeva me një ushqim me speca pikantë, ajvar dhe kam ngrënë shumë mbrëmë”, ka vazhduar ai.
Kompania konsulente e Noon operon edhe në ShBA, Indi, Filipine, Gjermani dhe Spanjë.