I dehur, ra nga kati i dytë- zbardhet ngjarja e biznesmenit në Himarë që u gjet me lëndime në kokë

Një biznesmen është gjetur i plagosur rëndë në rrugë mbrëmë në Himarë.

Siç raportojnë mediat në Shqipëri, bëhet fjalë për biznesmenin Nikollaq Bollano, rreth 45 vjeç.

Ai është gjetur pranë hotelit të tij me dëmtime të rënda në kokë. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së diel.

Lidhur me rastin, ka dalë me njoftim zyrtar Policia e Shtetit në Shqipëri. Në bazë të informacioneve zyrtare, ai ka rënë aksidentalisht nga kati i dytë. I njëjti dyshohet të ketë qenë i dehur.

“Më datë 02.06.2024, rreth orës 23:00, në lagjen “Spille”, Himarë, shtetasi N. B., 51 vjeç, dyshohet se në efektin e alkoolit, ka rënë aksidentalisht nga kati i dytë i banesës së tij. 51-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.