“I dashur, Albin…”, Mickoski i lumtur për pritjen: Nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur i lumtur për pritjen që ia bëri homologu i tij, Albin Kurti, sot në Prishtinë në kuadër të takimit të përbashkët mes të dyja vendeve.

Ai shpreson se “energjia dhe koha e bukur sot”, do të jetë një impuls i ri për marrëdhënie akoma më të mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“I dashur, Albin. Faleminderit për pritjen e shkëlqyer, energjinë dhe atmosferën që na e mundësuat sot këtu në Prishtinë. Shpresoj se kjo energji e bukur dhe koha e bukur do të jenë impulse të reja për marrëdhënie akoma më të mira midis të dyja vendeve. Shpesh herë takohemi jashtë shteteve tona dhe bisedojmë për gjendjen në vendet tona. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, çdo herë konkludojmë se nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm”, tha ai.

Mickoski tutje tha se bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis të dyja vendeve.

“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim. Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë. Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e poashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi. Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”, u shpreh kryeministri maqedonas.