Hyseni: “Kurti e Osmani, po ia dorëzojnë veriun e Kosovës në pjatë Serbisë”

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Skënder Hyseni ka reaguar pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës. Ai ka thënë se zhvillimet e ndodhura sot janë mirëpritur nga Qeveria e Serbisë pas ”politikave aventureske e fëminore” të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Hyseni me një postim në Facebook thotë se vendimi i Lista Srpska për tërheqje nga të gjitha postet publike, duket se shënon fillimin e një veprimi tjetër, shumë të rrezikshëm.

”Në veri sot me diktat politik, përmes Listës Serbe ka filluar një diversion i hapur Vuqiqit ndaj insititucioneve të rendit dhe ligjit në vendin tonë. Pra ka një linjë të qartë që e ndanë politikën nga strukturat e rendit dhe ligjit. Me diktat puro politik policët, prokurorët, gjykatësit dhe duket të gjithë shërbyesit civil serbë sot kanë dhënë dorëheqje nga këto pozitat e tyre. Kjo është shumë serioze dhe shkon larg përtej një fiskulture politike siç është tërheqja nga postet politike,” ka shkruar ai.

Tutje, ish-shefi i diplomacisë kosovare akuzon presidenten dhe kryeministrin e Kosovës se me veprimet e tyre politike janë duke i ”shërbyer agjendave kriminale e diversive serbe në veri”. Ndërkaq, në fund ka pretenduar që politikat e të lartcekurëve janë shkurtpamëse dhe janë duke ia ”dorëzuar veriun e Kosovës në pjatë Serbisë”.

”Albin Kurti po refuzon çdo koordinim dhe bashkëpunim me partnerët e Kosovës në botë. Paradoksalisht, rreziku më i madh Kosovës sot po I vie nga këta liderë dhe aventurat e tyre fëminore politike! Me politikat e tyre shkurtëpamëse Kurti e Osmani, po ia dorëzojnë veriun e Kosovës në pjatë Serbisë dhe politikës kriminale të saj,” përfundoi ai./gazetametro.net
Postimi i plotë: