Policia e Durrësit ka arrestuar një person, 53-vjeçar i cili në fshatin Katund Sukth të Durrësit, rreth orës 08:55 ka hyrë me armë në qendrën e votimit numër 1521 dhe pasi ka kërcënuar me armë zjarri kallashnikov komisionerët, ka marrë kutinë e votimit e ka nxjerrë jashtë ambienteve të Qendrës dhe ka hedhur materialet zgjedhore.
Ramiz Bakanaçi 53 vjeç, banues në Katund Sukth u arrestua nga policia pas reagimit të menjëhershëm për ngjarjen.
Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi .
Ai do të hetohet nga prokuroria e Durrësit për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
“Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit”, thuhet në një njoftim të policisë së Shtetit.