Hungaria merr kredi prej një miliard euro nga Kina

Ndërkohë që hungarezët ende zhvillojnë beteja të shumta ligjore dhe politike me Brukselin, qeveria e udhëhequr nga Viktor Orban ka hyrë zyrtarisht në një lloj të ri dhe më të gjerë marrëdhëniesh me Kinën, pasi kanë nënshkruar një kredi prej një miliard eurosh me Pekinin. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen e internetit të agjencisë qeveritare për monitorimin e borxhit, Hungaria ka marrë hua gjithsej një miliard euro nga tre banka kineze.

Kredinë hungarezëve ua dhanë Banka Kineze për Zhvillim, Banka Eksport-Import e Kinës dhe filiali hungarez i Bankës së Kinës. Ky borxh i rëndësishëm vjen ndërsa Budapesti po thellon lidhjet me Pekinin. Kompanitë kineze, si prodhuesi i makinave elektrike BYD apo gjiganti teknologjik Huawei, deri tani kanë investuar gjithsej 16 miliardë euro në Hungari.

Me një borxh kombëtar prej 140 miliardë euro dhe një deficit buxhetor prej 6.7% të PBB-së, Hungaria ka një nevojë të dëshpëruar për para, veçanërisht duke marrë parasysh se miliarda euro nga fondet e Brukselit janë ende të “ngrirë” për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta midis Budapestit dhe Brukselit.

Siç ka theksuar më parë ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó, një pjesë e këtyre parave duhet të përdoret për financimin e projektit të hekurudhës Budapest-Beograd. Gjithashtu, janë njoftuar edhe projekte të tjera, duke përfshirë një kalim të ri kufitar ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, një linjë hekurudhore të shpejtë deri te aeroporti në Budapest dhe ndërtimin e një naftësjellësi.

“Ne kemi zhvilluar një shkallë të lartë besimi të ndërsjellë politik. Marrëdhëniet tona dypalëshe janë më të mirat në histori,” tha Szijjártó gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping.