Hungaria do t’i ndalojë përmbajtjet rreth LGBT-së në literaturën për fëmijë

Partia nacionaliste në pushtet në Hungari, Fidesz, e ka dorëzuar legjislacionin për t’i ndaluar përmbajtjet që i cilëson si promovim të homoseksualitetit dhe ndryshimit të gjinisë në literaturën për të rinjtë nën moshën 18-vjeçare.
Përmes këtij projektligji, përpos ndalimit të literaturës me përmbajtje rreth homoseksualitetit, pritet të ndalohen edhe reklamat që cilësohen si promovim i të drejtave të këtij komuniteti.

Disa grupe për të drejtat e njeriut e dënuan këtë veprim, duke thënë se projektligji i propozuar në Hungari është i ngjashëm me kufizimet që komuniteti LGBT ka në Rusi.
Propozimi është pjesë e planit të qeverisë për ndëshkimin e pedofilisë. Në propozim thuhet se fëmijëve dhe të rinjve nën moshën 18-vjeçare nuk lejohet t’iu shfaqet përmbajtje pornografike apo ndonjë përmbajtje që i nxit homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë.

Ndryshe, Hungaria dhe Polonia janë nën hetime nga Bashkimi Evropian nën dyshimin se i kanë shkelur standardet e BE-së për sundimin e ligjit.
Këto dy shtete nuk i njohin martesat mes personave të gjinisë së njëjtë dhe kanë ligje që e kufizojnë birësimin e fëmijëve nga çiftet homoseksuale. Në Kushtetutën e Hungarisë thuhet se martesa është për çiftet heteroseksuale.