Rënia e shitjeve përmes internetit dhe rritja e kostove kanë ndikuar dhe në bilancat e Amazon duke bërë që kompania të shënojë humbjet e para që nga viti 2015. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë kompania duke deklaruar se shitjet në internet ranë 3% në tre muajt e parë të vitit, pasi bumi i biznesit të saj nga pandemia fillon të zbehet.
Duket se edhe Amazon po “lufton” dhe me ndikimin e kostove në rritje që kanë ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë.
Amazon raportoi një humbje prej 3.8 miliardë dollarësh, ku sipas raportit pjesa më e madhe e së cilës u shkaktua nga një goditje pas investimit të saj në prodhuesin e makinave elektrike Rivian. Në raportin e kompanisë parashikohet rritje të shitjeve prej vetëm 3% në muajt e ardhshëm, një ngadalësim i madh ky duke pasur parasysh rritjen e madhe që ka pasur vitet e fundit, madje edhe para pandemisë.
“Pandemia dhe lufta e mëvonshme në Ukrainë kanë sjellë sfida të pazakonta,” tha shefi ekzekutiv i Amazon, Andy Jassy. Ai shtoi se kompania po përballet gjithashtu me kosto të shtuara./tvklan.al