Duke pasur në fokus temën e bixhozit “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 kanë takuar Vasilin, 37 vjeç jeta e të cilit është shkatërruar plotësisht nga ky ves.
Vasili jeton rrugëve të kryeqytetit, i vetmuar e i shkatërruar totalisht. Por jeta e tij shumë vite më parë ka qenë ndryshe, e lumtur pranë gjirit të një familjeje si gjithë të tjerët.
Rreth 22 vite më parë, Vasili nisi të luante bixhoz dhe shumë shpejt pa e kuptuar as vetë u rrëmbye nga një vorbull me pasoja tronditëse. Gjithçka nisi nga kurioziteti, si një lojë argëtuese mes shokësh dhe u shndërrua në një sëmundje të rrezikshme ndaj së cilës ai nuk po luftonte dot më.
Vesi i kumarit e burgosi, e bëri pjesë të qelisë së padukshme të industrisë së bixhozit. Lojërat e fatit e rrëmbyen Vasilin në një botë tejet të rrezikshme, ku çdo ditë e më shumë vetëm humbiste e nuk merrte asgjë në këmbim. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, ai duhet të jepte paratë, në të kundërt mund të humbiste edhe jetën. Zgjidhja që gjeti për të shpëtuar ishte edhe më shkatërrimtare për të e familjen.
Pas përpjekjeve të shumta e të dështuara për ta larguar Vasilin nga bota e bixhozit, bashkëshortja e tij u largua përgjithmonë, duke marrë me vete edhe vajzën dy vjeçare. Ai nuk u përpoq t’i ndalonte, thellë brenda vetes e dinte që largimi ishte zgjidhja më e mirë për to.
Kanë kaluar plot 11 vjet dhe Vasili asnjëherë nuk ka mundur të kontaktojë me të bijën apo ish-bashkëshorten. Bixhozi i shkatërroi përfundimisht lidhjen me familjen. Ai nuk pati mundësinë të rriste vajzën, ta përqafonte e ta shoqëronte në hapat e jetës. Ëndrra e tij më e madhe është të takojë qoftë edhe njëherë të vetme të bijën. Prindërit, motra e të afërmit e Vasilit, nuk komunikojnë me të prej vitesh. Ai e pranon edhe vetë se kumari i injektuar fort në qenien e tij, është shkaktari i vetëm i gjendjes ku ka përfunduar.
Sot Vasili ka humbur gjithçka, familjen, shtëpinë e punën. Endet rrugëve të Tiranës, duke mbledhur kanoçe për të siguruar bukën e gojës. Është penduar pamasë që ra viktimë e bixhozit, por tashmë është shumë vonë. 37-vjeçari nga Gramshi, në një rrëfim për gazetaren Voltiza Duro iu bën thirrje atyre që bixhozi i ka futur në kthetrat e veta; të heqin dorë sa më shpejt të jetë e mundur sepse pasojat mund të jenë të tmerrshme.
Pasi ndoqi historinë e dhimbshme të Vasilit, jeta e të cilit është totalisht e shkatërruar nga bixhozi, shefi i qeverisë tha se “kjo histori që emisioni përcolli për publikun është një ndihmë e madhe për të ndihmuar ligjin që do i mbyllë lojërat e fatit”. “Kjo është sëmundje”, tha Kryeministri.Elvis Naçi u shpreh se bixhozi është një ves që e shkatërron individin nga ana sociale jo vetëm në aspektin ekomomik. “Ligji kundër bixhozit i shërben shqiptarisë”, tha ai.
(BalkanWeb)