Humbi babanë dhe vëllanë në lu*ftë, tani është piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës


Më datën 13 dhjetor të vitit të kaluar ka diplomuar piloti i parë kosovar, Afrim Zabeli.
Në një intervistë për median gjermane “Nex24”, ai rrëfen për përgatitjen e tij profesionale, familjen dhe mungesën e babait dhe vëllait që humbën jetën në luftën e fundit në Kosovë si dhe shumë gjëra tjera.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 14 dhjetor të këtij viti ka votuar ligjet për formimin e ushtrisë së Kosovës e cila do të mbanë emrin Forcat e Armatosura të Kosovës
Piloti i parë i këtyre forcave i kishte vetëm 8 vjet ku për lirinë e Republikës së Kosovës u flijuan babai dhe vëllai i tij.

Nëntoger Zabeli, Ju jeni piloti i parë i FAK-ut, me këtë ju jeni bërë pjesë e historisë, çfarë do të thotë kjo për ju?
Nëntoger Zabeli: Së pari jam shumë me fat që kamë pas mundësinë ta kryej shkollën për Pilot të Helikopterit. Është mundësi që nuk i vjen çdokujt dhe që kërkon përkushtim të madh. Ndihem shumë krenar që jam piloti i parë i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Po ashtu diplomimi im një ditë para formimit të Ushtrisë së Kosovës më bën të ndihem shumë mirë. Kam pasur përkushtim të plotë në këtë drejtim, dhe në fund ia arrita qëllimit, dhe kjo arritje padyshim që do të thotë shumë për mua.

Ku i keni përfunduar studimet për aviacion dhe sa kanë zgjatur ato?
Nëntoger Zabeli: Studimet për aviacion i kam përfunduar në Republikën e Turqisë, gjegjësisht në shkollën ushtarake të Aviacionit Tokësor për Helikopter. Kam filluar më datën 13.11.2017 në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, dhe i kam përfunduar më datë 13.12.2018, në qytetin Isparta. Ka qenë e planifikuar që kursi të zgjas 11 muaj, mirëpo për arsye që shkolla ka ndërruar vendin nga Ankaraja për në Isparta, dhe për shkak të kushteve meteorologjike dhe teknike është zgjatur në 13 muaj.

A ishit ju vetëm aty, apo keni udhëtuar si grup?
Nëntoger Zabeli: Shkollën e kemi filluar dy pjesëtarë të FSK-së. Fatkeqësisht, kolegu im për shkaqe shëndetësore nuk ka arritur të përfundojë shkollimin.Cilat fusha të tjera përveç si Pilot i Helikopterit, keni mbaruar për ushtrinë e planifikuar të Kosovës dhe ku?Nëntoger Zabeli: Kam përfunduar Akademinë Ushtarake Tokësore në Ankara, që ka zgjatur pesë vite; një vit kam mësuar gjuhën, ndërsa katër vite kam studiuar në Akademinë e Përgjithshme Ushtarake.Gjatë kësaj periudhe kohore, kemi pasur mundësi të marrim trajnime në fusha të ndryshme. Në vitin e fundit të Akademisë, kam kryer Kursin Bazik për Komando, që ka zgjatur nëntë javë, kurs i fokusuar me aktivitete të shumta fizike dhe teorike. Akademinë Ushtarake e kam përfunduar më 30.08.2018.

A keni qenë pjesë e ceremonisë solemne të kalimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës?
Nëntoger Zabeli: Jo, sepse unë kam diplomuar më datë 13 dhjetor 2018, ndërsa ceremonia është bërë me datë 14 dhjetor 2018, dhe nuk kam pasur mundësi teorike, të kthehem në Kosovë, më 14 dhjetor. Por, tërë ceremoninë e kam përcjellë përmes televizionit, dhe ka qenë një ndjenë shumë e veçantë dhe me plot emocione.

Nga kush keni pasur përkrahjen në rrugën tuaj si piloti i parë kosovar?
Nëntoger Zabeli: Përkrahjen më të madhe e kam pasur nga familja e ngushtë. Pasi që pas përfundimit të Luftës në Kosovë, ne mbetem pa babin dhe vëllain e madh, dhe të gjithë kemi qenë fëmijë, më e rritura prej nesh ka qenë motra 12 vjeçare, kushtet ekonomike nuk i kemi pasur të mira, një ndihmë që kemi pasur nga familja e gjerë, që gjendeshin ne diasporë, dhe nga djali i axhës, që tash është pjesë e Policisë së Kosovës, Avni Zabeli, i cili na ka ndihmuar në shkollimin tonë, dhe asnjëherë nuk e kanë ndërprerë përkrahjen ndaj nesh, por kjo është mëritë e tyre, të jem edhe Piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës.E falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës që tani është Ushtria e Kosovës, që më ka mundësuar që unë ta përfundojë me sukses të lartë Shkollën për Aviacion Tokësor të Helikopterëve.

Cilat ishin reagimet e familjes suaj kur ju keni treguar se synoni të bëheni pilot?
Nëntoger Zabeli: Si çdo fëmijë, që ka një ëndërr fëmijërore, se çka do të behet në të ardhmen, edhe unë kisha ëndrrën time që së pari të jem pjesë e uniformes në shërbim të atdheut. Dëshira apo ëndrra për të qenë pilot, më ka lindur gjatë kohës së Akademisë Ushtarake, pasi që kemi pasur edhe konferenca për drejtime të ndryshme ushtarake, e një ndër to ka qenë edhe për Pilot të Helikopterit. Dhe nga ai moment kam filluar të interesohem dhe të lexoj më shumë për këtë drejtim. Lajmin për synimin tim që të bëhem pilot e kanë pritur shumë mirë, edhe pse ishte një rrugëtim i vështirë dhe më shumë sfida. Ëndrra më në fund, mu realizua. Tani jam pilot i helikopterit në FSK.

Gjatë lu*ftës së Kosovës ju keni humbur babin dhe vëllain, megjithatë ju nuk jeni dorëzuar dhe keni vazhduar shkollimin tuaj. Cili është mesazhi juaj për rininë kosovare?
Nëntoger Zabeli: Së pari ndihem krenar që jam fëmijë dhe vëlla i martirëve; që për Lirinë e Kosovës dhanë edhe më të shtrenjtën jetën e tyre. Sa herë kam pasur vështirësi apo pengesë për ndonjë gjë gjithmonë i kam kujtuar babin, vëllain dhe të gjithë dëshmorët e renë për lirinë e Kosovës, dhe çdo herë e kam ndier vetën më të fuqishëm dhe më krenar, kurrë nuk jam dorëzuar, por kam vazhduar përpara deri këtu ku jam sot. Për rininë e Kosovës, kam një porosi, në çfarëdo vështirësi që hasni mos dorëzoheni, mos e humbni vetëbesimin, gjithmonë të jeni në dijeni se çka po bëni dhe për çfarë po e bëni, dhe çdo synim që keni, mendoni se si do të jetë përfundimi dhe çdo herë do të jeni më të suksesshëm. Rinia e Kosovës le të vazhdojë shkollimin duke synuar që në të ardhmen të jenë pjesëmarrës të vendimeve të rëndësishme për Kosovën, të ngritën profesionalisht në profesione të ndryshme e sigurisht që janë shumë të mirëseardhur që të jenë edhe pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

A keni fluturuar me Helikopter mbi qiellin e Kosovës?
Nëntoger Zabeli: Jo, ende nuk kam fluturuar, por e pres me padurim ditën që të fillojë me fluturime mbi qiellin e Kosovës dhe t’i shërbej vendit tim si pilot. Fluturimin e parë kisha pas dëshirë ta bëj në qiellin e vendlindjes time.Çfarë ndjenje keni kur jeni në qiell?Nëntoger Zabeli: Është ndjenjë shumë e mirë me plotë emocione të papërshkueshme! Të gjitha bukuritë natyrore apo ato të ndërtuara nga dora e njeriut, që ne i shohim nga toka, t’i shikosh nga qielli, është sikur të jesh në boten e çudirave, pasi që fluturimet që bëhen me Helikopter nuk bëhen në lartësi shumë të madhe, andaj edhe bukuritë natyrore vërehen në detaje, që një njeri që nuk është pilot mundet vetëm me i imagjinua.

Ndjenja më e mirë dhe me plot adrenalinë është kur bën lëvizje taktike në një lartësi të vogël nga Toka. Të gjitha këto ndjenja janë të përcjella me një përgjegjësi shumë të madhe, për personelin që gjendet në helikopter, me një fjalë fati i jetës së tyre është në duart e pilotit, prandaj ne jemi edhe të përgatitur që në çdo rast emergjent që mund të ndodh gjatë fluturimit ta kemi çdo herë një vend në mendjen tonë që në rast se ndodh një prishje ta bëjmë uljen emergjente dhe që është shumë e vështirë.

Qeveria e Kosovës thekson se ushtria e planifikuar është një forcë multietnike, a keni ju miq të afërme të cilët nuk janë shqiptarë dhe si janë raportet ndërmjet jush?
Nëntoger Zabeli: Kam pasur rastin që të kem kolegë të minoriteteve që janë pjesë e ushtrisë, raportet mes nesh kanë qenë shumë të mira si në aspektin profesional po edhe në përditshmëri, janë familjarizuar me ambientin ushtarak, asnjëherë nuk e ndien veten të shkelur nga dikush apo nuk mendon që ju bëhet ndonjë padrejtësi, vetëm pse nuk është shqiptar, të gjithë pa dallim çdo herë janë të gatshëm për çdo detyrë që ju jepet dhe e bëjnë punën ashtu si kërkohet. Mandej edhe yjet në flamurin e Kosovës paraqesin etnitë të shumta që jetojnë në Kosovë