Humb jetën një emigrant në kufirin grek (VIDEO)

Prefektura e Edirnesë, njoftoi se ka humbur jetën një refugjat dhe 5 të tjerë janë plagosur si pasojë e ndërhyrjes së policisë dhe njësive kufitare të Greqisë duke përdorur gaz lotsjellës, gaz tymues, bomba zhurmuese, plumba gome dhe të vërtetë.

Prefektura e Edirnes

“Policia dhe njësitë kufitare të Greqisë kanë ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës, gaz tymues, bomba zhurmuese, plumba gome dhe plumba të vërtetë ndaj refugjatëve që ndodhen në zonën e ndërmjetme mes pikave kufitare greke Kastanies dhe pikës kufitare turke Pazarkule. Si pasojë e hapjes së zjarrit, janë plagosur pas goditjes me plumba të vërtetë 3 refugjatë në këmbë, një refugjat në zonën e legenit, njëri në kokë dhe një tjetër në gjoks”.

Ndërkohë, sot në mëngjes, forcat greke përdorën gazin lotsjellës për të zmbrapsur turmat e migrantëve që po provonin të kalonin kufirin me Greqinë. Turqia ka thënë se kufijtë e saj janë të hapur, për migrantët që duan të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian. Një zyrtar i Qeverisë turke ka deklaruar më 27 shkurt, se Turqia nuk do të ndalojë qindra mijëra migrantë, pas sulmeve ajrore në Idlib, ku u vranë dhjetëra ushtarë turq. Greqia, e cila ka qenë rruga kryesore për qindra mijëra migrantë më 2015-2016, që dëshironin të arrinin në vendet evropiane, ka premtuar se nuk do të lejojë një fluks të ri me migrantë.

Nga ana tjetër, më shumë se 8,000 njerëz mbrëmë marshuan në Berlin, si dhe në 30 qytetet tjera gjermane, me moton: “Hapni kufijtë, shpëtoni jetë, luftoni fashizmin!” Protestuesit në Berlin iu drejtuan në mënyrë simbolike Konsullatës Greke. Sipas informacionit të organizatorëve të postuar në mediat sociale, njerëz nga një spektër i gjerë politik dhe shoqëror kanë dënuar sjelljet e dhunshme të autoriteteve greke ndaj refugjatëve, sipas tyre, politikë e stampuar nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.