Hulumtim, Megjashi: Fëmijët të sigurt vetëm në shtëpi

Fëmijët më të sigurt ndjehen brenda në shtëpitë e tyre, ndërsa më të diskriminuar ndjehen për shkak të dukjes së tyre, peshës së trupit, por edhe për shkak të gjuhës që flasin, përkatësisë etnike. Këtë e tregon hulumtimi i Ambasadës së parë për fëmijë në Botë, Megjashi.

Sipas hulumtimit fëmijët thonë se në shkollat e tyre nuk i kushtohet vëmendje të mjaftueshme higjienës, sidomos nëpër tualete, për çka mbi 68 për qind e fëmijëve e shmangin përdorimin e tyre. Dy e treta e fëmijëve thonë se kanë probleme me ajrin e ndotur, sidomos me frymëmarrjen dhe për këtë qëllim pjesën më të madhe të kohës kalojnë brenda. Fëmijët më të rrezikuar në mjedisin e tyre ndjehen nga qentë endacak dhe mungesa e ndriçimit publik. Por të kërcënuar ndjehen edhe në internet.

“Fëmijët po ashtu thonë se ka probleme dhe vështirësi të caktuara me sigurinë e tyre në hapësirën e internetit. Ka numër të caktuar të fëmijëve të cilët thonë se njohin dikë të cilin fotografitë dhe videot i janë keqpërdorur në internet. Gjë që dëshmon në nevojën për marrjen e masave të sigurisë së fëmijëve jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në hapësirën kibernetike ku ata kalojnë sa shumë kohë”, deklaroi Vaska Bojaxhi, Megjashi.