Hulumtim: Dosja e varrosjes së viktimave të COVID-19, burrë e grua marrin tenderët në vlerë gjysmë milion euro

Burrë e grua kanë fituar tre tenderët e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për varrosjen e viktimave të COVID-19.

Përveç kësaj, shuma e tenderëve që bashkërisht kanë prekur gjysmë milion euro, janë dyfishuar e kanë tejkaluar vlerat e lejuara ligjërisht.

Në hulumtimin e KALLXO.com shihet se viktimat e para të COVID-19 janë varrosur në dy arkivole e që më pas ky veprim ka bërë që vlera e tenderit të parë të dyfishohet.

dhënat e dosjes së tenderit tregojnë se kontrata e parë është lidhur në muajin gusht dhe e njëjta është fituar nga kompania “Ngushllimi” me pronar Blerim Nreci, në vlerë prej 210 mijë euro. Muaj më vonë paratë nuk kishin mjaftuar dhe ShSKUK hapi edhe një tender tjetër. Kësaj radhe tenderi u fitua nga një kompani tjetër. Në dhjetor të vitit 2020, Fahrije Ruhanoviq kishte regjistruar kompaninë “Funerali”.

Kjo grua arriti që me kompaninë e re dhe të saporegjistruar të fitojë tenderin e 134 mijë eurosh. Pas tenderit të dytë, ShSKUK hapi edhe një tender tjetër, të cilin e fitoi përsëri kompania e Fahrije Ruhanoviqit – kësaj radhe tenderi ishte 158 mijë euro. Në faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve e shohim se këto dy kompani, të cilat në shikim të parë nuk kanë kurrfarë lidhje, megjithatë kanë diçka të përbashkët: të dy këta persona janë po ashtu pronarë të një kompanie të tretë të përbashkët, e regjistruar për të njëjtën veprimtari. Përpos kësaj, na del se Blerim Nreci është pronar dhe drejtor menaxhues në kompaninë “Ngushëllimi”, ndërsa në kompaninë “Funerali”, pronare është Fahrije Ruhanoviq, ndërsa Blerim Nreci është drejtor menaxhues.