Pothuajse 7 prej 10 grekëve e vlerësojnë “sipas të gjitha gjasave negative” apo “me siguri negative”, Marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë, sipas sondazhit të agjencisë MRB të zbatuar midis 22 dhe 29 qershorit të këtij viti, përmes intervistave të drejtpërdrejta me 2.000 qytetarë të përfshirë me të drejtë vote.
Në pyetjen “Në bazë të asaj që e dini, asaj që e keni dëgjuar, që e keni lexuar, si e vlerësoni marrëveshjen të cilën e nënshkroi qeveria greke me IRJM-në?”, përgjigje pozitive kanë zgjedhur vetëm 12,8 për qind, 3,5 për qind janë përgjigjur me siguri pozitive, 9,3 për qind sipas të gjitha gjasave pozitive, ndërsa 68,3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur në mënyrë negative. Prej tyre 48,4 për qind e kanë vlerësuar me siguri negative marrëveshjen, ndërsa 19,9 për qind me sipas të gjitha gjasave negative.
Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, nga të anketuarit është kërkuar të japin vlerësim pozitiv apo negativ për disa pjesë të caktuara të marrëveshjes, si për shembull:
“Emri i ri i vendit fqinj do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut dhe do të përdoret erga omnes” – këtë pikë 16,2 për qind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht, 62 për qind negativisht.
“Shtetësia e banorëve të vendit fqinj do të jetë maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” – këtë pikë 15 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si pozitive, 64,4 për qind negative.
“Gjuha e vendit fqinj është gjuhë maqedonase, që nuk ka kurrfarë lidhje me gjuhën e maqedonasve antikë” – këtë pikë 19,3 për qind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht, 56,4 për qind negativisht.
“Në bazë të Marrëveshjes, IRJM për të gjitha përmendoret dhe objektet publike të cilat lidhen me civilizimin antik grek duhet të bëjë ndryshime përkatëse” – këtë pikë 40,2 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si pozitive, 29,9 për qind negative.
Mbi 7 prej 10 të anketuarve vlerësojnë se Greqia mund të arrinte marrëveshje më të mirë (75.1 për qind), se Marrëveshja më shumë do t’u shërbejë interesave të Maqedonisë (73.3 për qind) se është e dëmshme për interesat kombëtare të Greqisë (70.5 për qind) dhe se në të ardhmen do të krijojë probleme serioze (68.5 për qind).
Në pyetjen se cilin vend e konsideroni si kanosje reale për Greqinë dhe me mundësi të zgjedhin të paktën dy prej përgjigjeve të ofruara: Turqia, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria, 15,4 për qind e të anketuarve e zgjedhin Maqedoninë, me çka vendi ynë është në pozitën e tretë. 87,9 për qind e të anketuarve janë përgjigjur Turqia, 33,5 për qind Shqipëria ndërsa vetëm 6 për qind Bullgaria.