Hoxhë Omer Bajrami komenton emisionin ‘Përputhen’: Turpi i kohës

Turpi i kohës!
Është e tmerrshme të shikosh në emisionet televizive, të rinjë dhe të reja të këtij populli, të cilët dalin në skenë para të gjithëve, për t’u njohur, takuar, e në fund kinse “martuar”. A thua këta njerëz kanë familje, babë e nënë, vëlla e motër, fqinjë e shoqëri, nga të cilët së paku duhet të turpërohen?!

Si është e mundur që të lejohet në mesin e këtij populli, i cili ka pasur burra, nderë dhe xhelozi, një mashkull të takohet e të luaj me femra të ndryshme dhe atë në formë publike para syve të të gjithëve? Si është e mundur të tolerohet që një vajzë e këtij populli, të kërkojë fatin e saj në emisionet televizive, në mesin e meshkujve të ndryshëm, duke e zgjedhur atë si produkt në tezgë pazari? Ky popull ka pasur nderë, martesë dhe familje të shëndoshë. Njerëzit janë martuar dhe martohen ende pa nevojë, të “it’s my love” e as “përputhen”. Ai ose ajo që nuk mund të gjejë fatin e jetës përveçse duke dalur dhe kërkuar atë në publik, ai është në nivelin më të ulët.

Megjithëse, qëllimi i gjithë kësaj nuk është martesa, sa është degjenerimi, përfitimet materiale dhe arritja e famës. Njerëzit të cilët thyejnë akullin e të keqes në një shoqëri, e kanë përgjegjësinë dhe mëkatin e të gjithë atyre që e vazhdojnë atë pas tyre, pa iu pakësuar atyre fare. Mjerë ai që e thyen këtë akull! Çka duam të mbjellim në shoqëri me këto skena degjeneruese për rininë tonë? A kjo do të jetë gjenerata pasardhëse e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit dhe burrave e trimave tjerë që ka pasur ky popull?
Zot na ruajt nga dënimi Yt!
Hoxhë Omer Bajrami