Hoxhë Labinot Maliqi: Kushdo që flet keq ndaj amerikanëve në Kosovë, e mohon dhe nënçmon një begati të Zotit

Imami, Labinot Maliqi, i cili vite më parë ishte bërë shembull për lu*ftën e tij ndaj islamit radikal, është shprehur falënderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për prezencën dhe ndihmën që i ka dhënë e i jep popullit të Kosovës.

I ftuar në emisionin “DIREKT” në ATV, Maliqi ka përmendur një hadith të cituar nga profeti Muahmmed s.a.w.s, ku thuhet se “Kush nuk i falënderon njerëzit, ai nuk e ka falënderuar Allahun.”, çka thotë të jetë shembull për shqiptarët që t’i jenë falënderues ShBA-ve.

“Profeti Muhammed s.a.w.s, ka thënë se ‘kush nuk i falënderon njerëzit për mirësitë që vijnë prej tyre, nuk e falënderon as Zotin’. Ne fetarisht por edhe kombëtarisht e njerëzisht e kemi obligim, jo se na e kërkon dikush, por duhet ta ndjejmë obligim me tërë qenien që të jemi mirënjohës ndaj ShBA-ve, për shkak se ata na e kanë sjellë lirinë dhe ata na e garantojnë paqen për çdo ditë që ata qëndrojnë në Kosovë dhe jo vetëm atëherë kur kanë ndërhyrë gjatë luftës,” – është shprehur imami.
Sipas tij, përderisa ShBA-të qëndrojnë në Kosovë, siguria e paqja janë të sigurta, gjersa shton se kushdo që tenton ta mohojë një gjë të tillë ka nënçmuar një begati të Zotit.

“Për çdo ditë që ata qëndrojnë në Kosovë, për ne është e garantuar siguria dhe paqja. Kushdo që flet një fjalë të keqe ndaj amerikanëve në Kosovë, e mohon dhe nënçmon një begati të Zotit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë begati e Zotit për Kosovën. Zoti i madhëruar i ka bërë shkak të gjitha këto mirësi që ky vend i yni kaq i vogël dhe ky popull i yni kaq i ndjeshëm në shumë aspekte, i ka bërë zoti sebep SHBA-të që të qëndrojnë në Kosovë dhe ne të kemi sot shtet, të kemi liri, të kemi pavarësi, të kemi të drejtë të praktikojmë besimin, të kemi të drejtë të përshëndetemi me njëri-tjetrin lirshëm e pa frikë nga askush. E si mos t’u jemi mirënjohës përderisa ata janë garantuesit më të mirë e më të mëdhenj të të gjitha këtyre mirësive që ne i gëzojmë,” – shtoi ai.

Maliqi e përmbylli prononcimin e tij duke e falënderuar Zotin që i bëri shkak ShBA-të që të na gjenden gjatë gjithë këtyre viteve gjersa tha se i lutet Zotit që asnjëherë të mos e privojë popullin e Kosovës nga mbështetja e tyre (ShBA-së).
Një ditë më parë, Maliqi kishte vizituar kampin ushtarak “Bondsteel”, për të përcjellë nga afër përgatitjet që po i kryenin ushtria e ShBA-ve për të mirëpritur mijëra refugjatë afganë.