Hoxhaj për Konjufcën: Është i ri në diplomaci dhe nuk merr vesh

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka komentuar deklaratat e kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, rreth tërheqjes së ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, shkruan Gazeta Sinjali.

Hoxhaj tha se Konjufca është ende i ri në aktivitetet e diplomacisë së jashtme teksa përdori edhe një term sportive për ta përshkruar atë.

“Deklarata e tij është totalisht jo-serioze. Ne duhet ta njohim të drejtën e Izraelit që ta ketë Jeruzalemin kryeqytet. Z. Konjufca është i ri në këtë aktivitet sportiv dhe ai nuk e merr vesh”, deklaroi Hoxhaj në T7.

Po ashtu, Hoxhaj shtoi se ambasada e Kosovës do të jetë aty ku është edhe ajo e Amerikës pasi që për PDK-në janë udhërrëfyesit e politikës së jashtme.

“Ku e ka ambasadën Amerika, aty do ta ketë edhe Kosova. Amerika është ylli polar se si PDK sillet në politikë të jashtme. A ka mbërri qeveria aktuale ta keq-menaxhoj këtë situatë? Po. Është dashur të komunikohet me vende Arabe, t’i thuhet që ne kemi interes që të kemi njohje të ndërsjellë”, ka potencuar ai.

Konjufca, sa po shpalosej plan programi politik i VV-së, ka thënë se duhet të ri-shqyrtohet vendimi i zhvendosjes së ambasadës kosovare në Jeruzalem të Izrealit, në rast se BE-ja ia kërkon një gjë të tillë.