Hoxha zgjidhet shef i Shtabit zgjedhor të Lëvizjes BESA

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha në Facebook publikoi se sot është zgjedhur për shef të Shtabit qendror të partisë për zgjedhjet lokale.
“Sot u mbajt mbledhja e rregullt e kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA, ku u diskutuan disa pika të rëndësishme në prag të zgjedhjeve lokale”, thekson Hoxha në postimin në Facebook.

Ai potencon se kryesia qendrore e partisë me mbështetje unanime, i ka propozuar Kuvendit Qendror që ta zgjedhë shef Shtabi për zgjedhjet lokale të vitit 2021.
“Ndjehem i privilegjuar që do t’i prijë edhe një procesi të rëndësishëm për partinë dhe për gjithë aktivistët e Lëvizjes BESA”, shton Hoxha.

Nga Lëvizja BESA informojnë se Kryesia qendrore e partisë konstaton se me konsolidimin e tërësishëm të strukturave partiake, janë gati për t’u futur fuqishëm në zgjedhjet e tetorit.