Hoxha: Të ardhurat nga akciza do të shfrytëzohen për ballafaqim me krizën


Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha njoftoi se qeveria ka sjellë dekret me fuqi ligjore për rritjen e akcizën për derivatet e naftës. Hoxha njoftoi se akciza do të rritet për tre denarë, duke shtuar se të gjitha mjetet financiare do të shkojnë në buxhetin shtetëror për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

“Rritja e akcizës së derivateve të naftës është inekcion direkt i buxhetit shtetëror për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga virusi korona(Covid-19). E përsëris edhe një herë, të gjitha mjetet financiare do të shkojnë në buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Fondin për ballafaqim me koronavirusin, për mbështetje dhe financim të masave për mbështetje të kompanive dhe për masat sociale, direkt për qytetarët si dhe për sistemin shëndetësorë”, tha mes tjerash Hoxha.

Ndryshe, Alsat më herët njoftoi për rritjen e akcizët së derivateve të naftës për tre denarë. Vendimi vjen me kërkesë të Odës Ekonomike me qëllim që të parandalohen abuzimet me vajin ekstra të lehtë, i cili përdoret si lëndë djegëse në vend të karburantit. Komuniteti i biznesit ka kundërshtuar tash e sa kohë propozimin, duke thënë se jemi i vetmi vend në botë që ngriti detyrimet e akcizës për të tejkaluar krizën ekonomike nga virusi korona.