Hoxha selam Mickovskit: Çdo shqiptar do të numërohet


Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka përsëritur qëndrimin e tij, se për momentin bëhet kryerje e evidentimit të diasporës, dhe jo regjistrim i saj.

Në ClickPlus, Mickoski tha se regjistrohet popullsia që jeton në vendin tonë.

“Ne për momentin po bëjmë evidentim të diasporës, pasi popullsia që jeton në vendin tonë, ajo regjistrohet, kjo së paku është edhe në bazë të standardeve të Eurostatit”, tha Mickoski.

Nëse ndodh e kundërta e kësaj, ai thotë, nuk do të pranojmë rezultatet e regjistrimit.

Për këto deklarata të Mickoskit, ka reaguar Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, i cili thotë se pavarësisht se si e quan Mickoski, është e sigurtë se në numrin e përgjithshëm të popullsisë do të numërohet çdo qytetar.

“Evidencë apo regjistrim, Mickoski le ta quajë si të dojë, por një gjë është e sigurtë se në numrin e përgjithshëm të popullsisë do numërohet çdo qytetar i cili është përfshirë në Regjistrimin e popullatës, qoftë në vend apo në diasporë.
Numrat nuk do mund të fshihen pavarsisht se si ka qejf të interpretojë lideri i opozitës Hristijan Mickoski!”, ka shkruar Hoxha përmes Facebook.