Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha në konferencë të përbashkët me homologun nga partneri i koalicionit LSDM, Lupço Nikollovski, ka theksuar se ky koalicion do t’i përmirësojë marrëdhëniet ndëretnike.
“Të gjithë, veçmas shqiptarët, masivisht ta përkrahin koalicionin tonë multietnik, i cili është koalicion i së ardhmes. Në koalicionin tonë nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël, por të gjithë jemi partnerë të cilët respektohen, nuk ka më pasiguri, fshehtësi dhe gjuajtje në ujë të turbullt”, tha Hoxha.
Ai sqaroi se koncepti i tyre për ridefinim, që e kanë promovuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2016-të, ka të bëjë me reformat.
“Varet kush si e interpreton ridefinimin. Pikëpamja jonë për ridefinim është në kontest të reformave. Është e saktë se ky koalicion fitues do të bëjë reforma atje ku është më e dhimbshme, gjegjësisht ku regjimi arriti dhe si opozitë t’i mbajë pozitat, ajo është gjyqësori. Normalisht se nëse dikush e sheh ridefinimin, është e sajtë se regjimi patjetër duhet të ridefinohet me reforma dhe atë do ta bëjmë bashkë”, tha Hoxha.
Sekretari i përgjithshëm, Nikollovski, tha se është e saktë se do ketë reforma, vende të reja të punës, rritje të fuqishme ekonomike dhe masa tjera dhe politika të cilat do ta transformojnë shoqërinë. Ai tha se beson se votuesit do t’i njohin dhe shpërblejnë në zgjedhje, si koncept i vetëm, pasi që sipas tij, koncepti tjetër është kthim në regjim dhe kthim në të kaluarën e errët.