Hoxha: Regjistrimi vërtetoi se me BDI-në, në qeveri ikja e shqiptarëve nga vendlindja është masovike


Më shpalljen e rezultateve për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut hapen shumë debate që duan analiza të thella por edhe përgjegjësi nga forcat politike që duke dashur të ruajnë eksluzivitetin dhe mos pasjen transparencë, sot e marrin mbi vete gjithë barën historike të një procesi i cili për fat të keq ka hapur shumë dilema dhe paqartësi.

Lëvizja BESA edhe njëherë riafirmon qendrimin e saj politik se procesi i regjistrimit të popullsisë është dhe duhet të mbetet vetëm statisikor, ndërsa të drejtat kolektive juridiko-kushtetuese të bashkësive etnike, në rastin konkret shqiptarëve duhet të burojnë nga numri i banorëve që janë shtetas të vendit dhe jo nga numri i banorëve resident në shtet.

Përmes analizave tona nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vend dalin disa porosi të cilat ne duam ti ndajmë si shqetsime me opinionin publik.

E para: Forma, mënyra dhe mbarvajtja e procesit kaloi në fshehtësi të plotë, ndërsa procesi i ndërprerjes të regjistrimit dhe pengesat që patën qytetarët sidomos ata në diasporë për t’u regjistruar humb kredibilitetin dhe besueshmërinë ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë. Prandaj, dyshojmë se ky proces ka kaluar në pazar politik mes LSDM dhe BDI, ashtu si edhe shumë çështje tjera në të kaluarën, që për fat të keq janë dëshmuar se çdo pazar politik i BDI-së ka sjellë pasoja afatgjate për shqiptarët në vend.

E dyta: Nëse nisemi nga të dhënat statistikore që burojnë nga ky regjistrim, del në pah një e vërtetë e madhe që në formë permanente e kemi ngritur si shqetsim dhe ajo është që në gjithë këto vite qeverisje të BDI-së shqiptarët janë larguar masovikisht nga vendlindja.

Politikat e gabuara, korrupsioni, nepotizmin, partizimi i gjitha institucioneve ka detyruar shumë familje por mbi të gjitha shumë të rinjë që të lëshojnë vendlindjen dhe t’i drejtohen rrugës së mërgimit.

Është fakt se sa më gjatë që me institucione shtetrore udheheq BDI përmes njerëzve jo kompetent, partizanëve partiak dhe atyre që meritë kryesore e kanë dëgjueshmërinë dhe vazalitetin ndaj partisë, aq më shumë shqiptarët do largohen nga vendlindja.

Këtë proces të largimit masiv të shqiptarëve duhet ta ndalojmë urgjentisht, kjo bëhet duke krijuar kushte më të mira jete në vendlindjen, mirëqenie ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës, por e gjithë kjo mund të ndodhë vetëm me largimin nga pushteti i BDI-së, më konkretisht të udhëheqësve të saj në Qeveri të cilët me pa aftësinë e tyre dhe servilitetin ndaj partive maqedone po dëmtojnë rëndë të ardhmen e shqiptarëve.

Edhe njëherë riafirmojmë qendrimin tonë se shteti duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt dhe BDI-ja të shkojnë opozitë për t’u reformuar se çdo ditë po vërtetohet se po dëmton të ardhmen e shqiptarëve dhe këtë e vërtetuan edhe me regjistrimin e popullsisë të cilin ata vetë kanë qenë pjesëmarrës në organizimin e të njejtit, thuhet në komunikatën me shkrim të Lëvizjes Besa.