Teologu Tim Shkupi i cili nuk beson në fenë islame, në një intervistë për IndeksOnline ka folur edhe për festat që festohen nga shqiptarët. Ai ka thënë se festat janë të njerëzve kurse viti i ri është ndërrimi i numrave kalendarik, ku bëhet njëfarë barazimi.
“Urime festat e fundvitit të gjithëve atyre që i festojnë. Janë festa të njerëzve. Por unë besoj vetëm në një festë e ajo ka mbetur e përgjysmuar, e ajo është festa a 28 nëntorit, festa e shqiptarëve. Jemi të ndarë në pesë shtete, është festë e cunguar dhe dua ta shoh atë si të plotë”, ka thënë Tim Shkupi.
I pyetur nga IndeksOnline se cilat janë festat që duhet të festoi një mysliman, Tim Shkupi përgjigjet shkurt që nuk ka term mysliman.
“Ai është term i shoqërive sekrete. Hoxhallarët dhe kurani janë dy bota të ndryshme, më se pari fjala islam në kuran nuk përmendet askund. Feja ime është lëkura ime e trupit”, ka thënë ai.
Teologu i njohur është edhe kundër festës së Kurban Bajramit.
“Si mundet me kon festë diçka kur derdhet gjak, është dita e flijimit. A është festë nëse unë duhet të lë Shkupin për shkaqe sigurie dhe të shpërngulem me një vend tjetër, ky është pikëllim jo festë. Nëse profeti ka jetuar në Mekë dhe është detyruar ta lëshojë vendin, ajo nuk është ditë feste por ditë pikëllimi”, ka thënë ai duke shtuar se nuk ka bajram në Kuran, është festë e traditës së perandorisë islame.
Sipas tij, xhemati duhet me ia ditë për nder që po e transmeton lajmin pak para shpërthimit të krismave të kiametit.
“Kiameti i vogël është kur të me vdes gruaja ndërsa kiameti i madh kur vdes vet. Me një fjalë, feja e shqiptarit është shqiptaria. Ajo na bashkon”, ka thënë Tim Shkupi.
Teologu flet edhe për Kishën e Llapushnikut dhe konvertimet që po ndodhin aty, bënë një krahasim interesant mes hoxhallarëve në Maqedoni dhe atyre në Kosovë, tregon se a duhet të agjërohet dhe të shkohet në haxh.